Albin Kurti viziton Telekomin e Kosovës, thotë se ka nevojë për masa të menjëhershme

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bashkë me ministren e MEPTINIS, Rozeta Hajdari kanë vizituar sot ndërmarrjen publike Telekomi i Kosovës.

Sipas njoftimit, u.d. e kryeshefes ekzekutive Burbuqe Hana, e njoftoi Kurtin mbi gjendjen e tanishme në Telekom, planet e saj dhe parimet mbi të cilat do ta zhvillojë veprimtarinë e saj.

“Duke qenë në krizë financiare, ndërmarrja është ballafaquar me probleme për të mbuluar pagat e punëtorëve kurse investimet e vazhdueshme në teknologji, të cilat janë qenësore në performancën e Telekomit, kanë munguar gjatë. Për këto arsye, dhe jo vetëm, Telekomi ka nevojë për masa të shpejta dhe të menjëhershme. Ato do të përfshijnë riorganizimin strukturor, uljen e shpenzimeve, rishikimin e kontratave dhe investimet në teknologji”, thuhet komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Kurti e përgëzoi menaxhmentin e ri për fillimin e punës dhe i uroi punë të mbarë.

Më tej thuhet se ai theksoi rëndësinë e angazhimit të profesionistëve të dëshmuar të fushës në këtë ndërmarrje, si e vetmja mënyrë për të rimëkëmbur këtë ndërmarrje me rëndësi të veçantë strategjike për Qeverinë e Kosovës.

“Rëndom, ajo është keqpërdorur me qëllim falimentimin e saj  dhe është keq menaxhuar me qëllim përfitimin personal prej saj. Qeveria e Kosovës, duke qenë aksionar i plotë i Telekomit, do t’i dalë partner asaj. Rimëkëmbja e Telekomit duhet të jetë synim i përbashkët i të gjithëve, sepse kush ia dëshiron të mirën Telekomit ia dëshiron të mirën Republikës së Kosovës dhe anasjelltas”, vijon më tej njoftimi.