Albin Kurti uron Memli Krasniqin për zgjedhjen në krye të PDK-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar Memli Krasniqin, për zgjedhjen e tij në krye të PDK-së.

Përmes një postimi në ‘Facebook’, Kurti ka thënë se mbështetjen që e mori sot nga strukturat e partisë së tij, i garantojnë Krasniqit një udhëheqje stabile, për t’i zhvilluar reformat.

“Si kryeministër i Kosovës dhe kryetar i Lëvizjes, i ofroj bashkëpunim në temat me interes nacional dhe ballafaqim të ideve e qëndrimeve për të mirën e përbashkët të shtetit dhe qytetarëve. Të punosh për Kosovën e kombin tonë nuk është kurrë mjaftueshëm dhe e kemi obligim secili”, ka shkruar Kurti.

Sot, Memli Krasniqi është zgjedhur kryetar i ri i PDK-së, pas mbajtjes së Konventës së kësaj partie. Krasniqi ishte i vetmi kandidat.