Albin Kurti uron Edi Ramën

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka përgëzuar Edi Ramën për fitoren në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit në Shqipëri.

Kurti ka uruar që së bashku të shtojnë bashkëveprimin mes tyre në të gjithë sektorët, si dhe t’i afrojnë standardet evropiane sa i përket demokracisë, zhvillimit ekonomik, drejtësisë e mirëqenies.

“Sipas rezultateve paraprake të shpallura nga KQZ në Republikën e Shqipërisë, Partia Socialiste dhe kryeministri Edi Rama ka fituar zgjedhjet parlamentare. Kosova nuk mundet pa Shqipërinë e Shqipëria nuk mundet pa Kosovën, prandaj e përgëzoj kryeministrin e Shqipërisë Edi Ramën për rezultatet, dhe uroj që së bashku, si shqiptarë, të shtojmë bashkëveprimin mes nesh në të gjithë sektorët, si dhe t’i afrojmë standardet evropiane sa i përket demokracisë, zhvillimit ekonomik, drejtësisë e mirëqenies. Njëkohësisht uroj që institucionet në Shqipëri të sqarojnë çdo paqartësi në lidhje me procesin zgjedhor që askujt të mos i preket e drejta e votës, mbi të cilën themelohet demokracia përfaqësuese”, ka shkruar Kurti në rrjetin social “Facebook”, teksa shtoi se këto janë pritshmëritë e shqiptarëve, “andaj, të punojmë së bashku”.

Kurti kishte votuar në zgjedhjet parlametare që janë mbajtur të dielën në Shqipëri.

Lëvizja Vetëvendosje, e drejtuar nga Kurti, kishte garuar në zgjedhjet në Shqipëri me 3 kandidatë për deputetë, të cilët, megjithatë, garuan si të pavarur.