Albin Kurti: U siguruan votat për Qeverinë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se janë siguruar votat për votimin e Qeverisë së Kosovës, dhe për të kryeministër.

Këtë njoftim, Kurti e ka bërë pas një takimi që ka pasur në Prizren me kryetarët e tri partive të komuniteteve joshumicë, të cilët do të jenë deputetë të ardhshëm: Rasim Demiri, Fikrim Damka dhe Albert Kinolli.

“Ata do ta votojnë qeverinë tonë dhe mua si kryeministër, pa kushtëzime”, ka shkruar Kurti në Facebook.

“Në “Ambient” të Prizrenit, pavarësisht rinumërimeve dhe paneleve, u sigurua shumica parlamentare për qeverinë e re. Kryetarët e tri partive të komuniteteve joshumicë, njëkohësisht edhe deputetë të ardhshëm, zotërinjtë Rasim Demiri, Fikrim Damka dhe Albert Kinolli do ta votojnë qeverinë tonë dhe mua si kryeministër, pa kushtëzime.

6 tetori 2019 është data kur ka nisur ardhmëria”, ka shkruar ai.