Albin Kurti tregon për raportet me ministrat e LDK-së pas rrëzimit të Qeverisë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se ka raporte të mira me ministrat e LDK-së, pasi kjo parti e rrëzoi Qeverinë përmes një mocioni të mosbesimit në Kuvend më 25 mars.

Kurti tha se po funksionon me ta njësoj sikur kur kjo parti nuk e rrëzoi Qeverinë.

“Nuk ka kurrfarë presioni mes neve. Jemi me fat që kemi këta ministra me këtë kabinet në kohën të cilën jemi. Në këtë kuptim besoj se si qeveri po funksionojmë sikur të ishim koalicion, por pas seancës s’jemi koalicion, por për mua vlen i njejti program qeverisës”, tha Kurti në një intervistë në KTV.

Qeveria Kurti u rrëzua nga partneri i koalicionit LDK përmes një mocioni të mosbesimit. Partnerët e koalicionit gjatë këtyre muajve të bashkëqeverisjes kishin pasur vazhdimisht mosmospajtime.

Mospajtimet të mëdha mes LDK-së dhe Vetëvendosjes dolën në shesh në lidhje me shfuqizimin e tarifës 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, masë kjo që ishte vendosur nga qeveria e kaluar e Kosovës, e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

Finalja e kësaj krize nisi me një deklaratë të ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, pasi ai doli në favor të dekretit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, masë kjo që u kundërshtua nga kryeministri Kurti.