Albin Kurti takon Ditmir Bushatin në Tiranë

Ish- ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati ka takuar liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në Tiranë.

Siç ka njoftuar përmes “Facebook”, Bushati tha se me Kurtin kishin një bisedë mbi sfidat që e presin Kurtin në të ardhmen.

“Me Albinin në një bisedë dje në #Tiranë mbi sfidat që e presin si Kryeministër i ardhshëm i Kosovës. Pritshmëritë janë të mëdha për të jetësuar besimin e qytetarëve të Kosovës duke sjellë një standard të ri qeverisës shumë të dëshiruar për shqiptarët kudo ku ata jetojnë, si parakusht për të kontribuar në fuqizimin e faktorit shqiptar në rajon”, ka shkruar Ditmir Bushati.

Në këtë takim, siç shihet në fotografinë e postuar nga Bushati, ishin edhe kandidati për deputet nga LVV, Haki Abazi, dhe anëtarët e kësaj partie, Boiken Abazi dhe Arbër Zaimi.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 6 tetor kanë nxjerr partinë e Albin Kurtit forcën e parë politike në vend me mbi 215 mijë vota.

Supremja kërkon të numërohen votat e Diasporës

www.kallxo.com