Albin Kurti takon bordin e Trepçës, premton ndihmë për kompaninë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, kanë pritur në takim  Kryesuesin e Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve të Trepçës, Sylejman Hyseni, u.d. Kryeshefin Ekzekutiv të Trepçës, Hysen Vrajolli dhe ish drejtorin e Trepcës, Nazmi Mikullovci.

Sipas një njoftimi për media, në takim, përfaqësuesit e ndërmarrjes publike “Trepça” diskutuan mbi potencialin e Trepçës dhe planet për maksimizimin e këtij potenciali.

“Kapacitetet e saj janë shtetndërtues, por për realizimin e tyre duhet të hartohen plane dhe të ketë planifikim. Trepça ka vëmendjen e plotë të Qeverisë dhe Kryeministrit në detyrë”, ka thënë Kurti.

”Derisa po ballafaqohemi me pandeminë e cila përpos shëndetit publik po na e cenon edhe shëndetin ekonomik, për Trepçën jemi duke u kujdesur përmes masës së katërt të Pakos Fiskale Emergjente kurse ajo do të ketë vëmendje edhe më të shtuar në pakon e dytë fiskale të rimëkëmbjes ekonomike”, ka shtuar ai.

Qeveria e Kosovës me 4 shkurt kishte marrë vendim që të shkarkojë Bordin mbikëqyrës të ndërmarrjes  ‘Trepça’ dhe më pas kishte emëruar tjetrin më 6 mars.