Albin Kurti takon aktivistin që u largua nga puna nga kompania e Ramiz Kelmendit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka bërë të ditur se ka takuar Amar Pushkën, ish-punëtor i qendrës tregtare ETC, pronar i të cilës është, Ramiz Kelmendi, i cili ditë më parë u vu në krah të Kadri Veselit.

Në mediat vendore është raportuar se aktivisti i VV-së,  Pushka është detyruar ta lërë punën në këtë qendër tregtare për shkak të presionit lidhur me zgjedhjet e 6 tetorit.

Ramiz Kelmendi nën hetime, dyshohet për presion te punëtorët për vota

Lideri i VV-së përmes një postimi në rrjetin social Instagram ka thënë se me qeverisjen e  tij, shkeljes së të drejtave të punëtorëve nga punëdhënësit shpejt do t’i vijë fundi.

“Amari është bërë punëtori më i famshëm i ETC-së. Jo rastësisht, jo pa arsye. Ai tani është i papunë, por i panënshtruar ndaj pronarit që vendosi të mbështesë regjimin e vjetër. Shkeljes së të drejtave të punëtorëve nga punëdhënësit shpejt do t’i vie fundi. Me punëtorë që e ngrisin zërin për të drejtat e tyre, sikurse Amar Pushka, do të fuqizojmë sindikatat, do ta zvogëlojmë pabarazinë e do ta luftojmë varfërinë. Amari nuk është vetëm. Ai ka një Lëvizje të tërë prapa”, ka shkruar Kurti në Instagram.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë shumicën e votave në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit.