Albin Kurti takoi ambasadorin britanik, biseduan për vendimet e reja në luftën ndaj COVID-19

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka pritur sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott.

Zyra e Kryeministrit njofton se në këtë takim u diskutua për pandeminë COVID-19, dhe veprimet dhe masat që institucionet kosovare kanë ndërmarrë, me qëllim parandalimin e përhapjes së kësaj pandemie.

Kryeministri në detyrë, Kurti e njoftoi Abbott mbi mbarëvajtjen e vendimeve të deritanishme dhe për vendimet e reja që ka ndërmarrë Ministria e Shëndetësisë.

Më tej thuhet se ai rikujtoi se për të dhe Qeverinë në detyrë ruajtja e shëndetit publik mbetet prioriteti me i lartë, derisa vëmendje dhe kujdes i veçantë po i jepet edhe shëndetit të ekonomisë.

Kurse, ambasadori britanik Abbott, vlerësoi punën e Qeverisë dhe institucioneve tjera përgjegjëse për menaxhimin e situatës me pandeminë COVID-19 dhe përsëriti përkrahjen e Mbretërisë së Bashkuar.