Foto: Facebook/Albin Kurti

Albin Kurti takohet me deputetë të Bundestagut

Lideri i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, sot është takuar me deputetë të Parlamentit gjerman nga radhët e SPD-së dhe të të Gjelbërve.

Kurti përmes publikimit ka falënderuar nikoqirët për mbështetjen që i kanë dhënë Vetëvendosjes gjatë fushatës zgjedhore.

Më tej Kurti ka njoftuar se gjatë ditës së nesërme do të ketë edhe takime të tjera gjatë vizitës së tij në Berlin.

“Gjatë ditës së sotme, në Bundestagun gjerman takova deputetët e SPD-së, z. Stefan Schwartze dhe z. Josip Juratovic. I falënderova për mbështetjen që na e kanë dhënë në Berlin e në Kosovë, sidomos gjatë fushatës zgjedhore nga e cila VETËVENDOSJE! doli fituese me 6 tetor. Më pastaj takova edhe deputetin nga Të Gjelbërit, z. Manuel Sarrazin, me të cilin diskutuam për gjendjen socio-ekonomike në Kosovë, atë politike edhe në rajon, si dhe mundësitë e bashkëpunimit me qeverinë tonë të re për mbrojtjen e mjedisit në Kosovë. Së fundmi, në mbrëmje porsa takova edhe deputetin tjetër të SPD-së, z. Metin Hakverdi, raportues për çështjet e BE-së, me të cilin biseduam për drejtësinë, punësimin dhe integrimet evropiane si preokupime kryesore të qeverisë sonë për të ardhmen. Nesër vazhdojmë me takime të tjera në kuadër të kësaj vizite dyditore në Berlin”, ka shkruar Kurti.