Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Albin Kurti: Synojmë që 70 për qind e ambasadorëve t'i kemi të karrierës, 30 për qind politik

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është në periudhën e reformimit të brendshëm., dhe se janë në fazën e identifikimit dhe vlerësimit të përmbushjes së kritereve nga ana e diplomatëve të karrierës, të cilët mund të jenë kandidat potencial për udhëheqjen e misioneve diplomatike të Kosovës.

“Tërheqja e ambasadorëve do të pasohet edhe me hapat e tjerë. Jemi në fazën e identifikimit dhe vlerësimit të përmbushjes së kritereve nga ana e diplomatëve të karrierës të cilët mund të jenë kandidat potencial për udhëheqjen e misioneve diplomatike. Deri tani ky procesi i identifikimit ka rezultuar me 43 diplomat karriere me grada të larta, të cilët mund të jenë kandidat potencial si udhëheqës të misioneve diplomatike të shtetit tonë”, tha Kurti.

“7 prej tyre janë në gradë ambasador, 3 prej tyre në MPJD, 4 si të ngarkuar të përkohshëm me punë në misione diplomatike të RRepublikës së Kosovës të cilët llogariten si kandidat potencial për emërim, si udhëheqës të institucioneve diplomatike. Me gradën ministër këshilltar janë 17 si dhe këshilltar 19-të”, tha Kurti.

Kurti tha se synimi i tij nuk është ndërrimi ose zëvendësimi i njerëzve por konsolidimi i sistemit dhe për këtë tha të jenë të vendosur.

Ai tha se me plotësim ndryshimet që duhet t’i bëjnë projektligjit për shërbime të jashtme, synojnë kuotën 70 me 30 për qind, në favor të zgjedhjes së diplomatëve të karrierës karshi atyre me sigla politike.

“Do të ketë edhe ambasador politik por as për së afërmi siç është tani”, tha Kurti.