Albin Kurti shpjegon tatimet që do t’i paguajnë qytetarët

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka shpjeguar se si do të paguhen tatimet gjatë qeverisjes së tij.

Kurti ka elaboruar tatimin e përshkallëzuar që do të implementohet nëse ai merr mandatin.

Ai thotë se ata që kanë të ardhura më të larta do të paguajnë tatime më shumë në shtet.

“Për tatimin e përshkallëzuar ne kemi thënë që vjen nga besimi ynë që shteti duhet të jetë universal dhe solidar. Kjo do të thotë që të gjithë duhet të paguajnë për të mirën e përgjithshme, por ata që kanë të ardhura më të larta duhet të paguajnë më shumë”, është shprehur Kurti.

Ai ka shtuar se personat me të hyra nën 300 euro nuk do të tatohen fare. Ai këtë e ka arsyetuar me një fjalë të urtë popullore, “Mos i fut duart në maxhen e fukarenjve”.

Ne e kemi bërë kalkulimin me ekspertë që vërteton se nuk dëmtohet fare ekonomia jonë e as pagesa e tatimeve të rregullta nëse e përdorim tatimin e përshkallëzuar përkundrazi tani e kemi shumë keq dhe e kemi vënë që në skemën tonë të tatimit të përshkallëzuar, më pak se 300 euro të hyra të mos jenë të tatueshme. Qysh ka thanë populli, “Mos i fut duart në maxhen e fukarenjve”, pra nën 300 euro çka do të bësh”, është shprehur Kurti.

Sipas tij, kjo mënyrë e tatimit bëhet në çdo vend të Evropës perëndimore.

Ne nuk e shohim tatimin e përshkallëzuar si zëvendësim për luftimin e evazionit fiskal, përkundrazi i shohim të bashkë të dyja këto. Mirëpo, besojmë që është mirë për shoqërinë tonë që të ekzistoj tatimi i përshkallëzuar si në çdo vend të Evropës perëndimore.

Cikli i #DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahen për dhjetë ditë rresht sa do të zgjasë zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë të cilat do të mbahen më 6 tetor.

Kandidatët për kryeministër si dhe kandidatët për deputetë nga partitë të cilat janë në garë do të ballafaqohen para Jeta Xharrës ku edhe do të shpalosen programet e tyre qeverisëse.

Të ftuar në debat janë: Albin Kurti, Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Fitore Pacolli, Hajrullah Çeku, Arbërie Nagavci, Hekuran Murati, Saranda Bugujevci, Arben Vitia, Yllza Hoti.Debat Pernime do të fillojë çdo ditë nga ora 20:30 në Televizionin 21 dhe live në Facebook të KALLXO.com.