Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Albin Kurti rrogën më të madhe si kryetar i partisë se si kryeministër

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se në bankë si para të gatshme posedon 529 euro. Në deklarimin e fundit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion Kurti deklaroi edhe pagesën që bën për shtëpinë ku që disa muaj jeton me qira.

Sipas deklarimet, për një muaj Kurti paguan qira 250 euro.

Megjithëse është kryeministër i vendit, Albin Kurti ka pasur rrogë më të madhe sa ka qenë pa pushtet sesa tash që është me të.

Në pozitën si shef qeverie, Kurti për një muaj merr pagë prej 1 mijë e 305 euro, pagë më e vogël sesa si kryetar partie. Sipas deklarimit, ai për tre muaj, janar, shkurt dhe mars të këtij viti, si kryetar i partisë Lëvizja Vetëvendosje, deklaroi se mori 4 mijë e 200 euro.

Pagë më të lartë se Kurti ka deklaruar se merr bashkëshortja e tij. Në deklarimin për këtë vit, paga mujore e saj arrin në 3 mijë e 915 euro.

Sikur në deklarimet e mëhershme, edhe këtë vit Kurti ka deklaruar si pasuri të paluajtshme apartamentin në Oslo të Norvegjisë në vlerë prej 400 mijë eurove i cili është në emër të bashkëshortes. Sipas deklarimit, apartamenti është blerë me kredi për 25 vite.