Albin Kurti pritet nga ministri i Mbrojtjes së Italisë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, së bashku me anëtarët e kryesisë, Albulena Haxhiu dhe Xhelal Sveçla u pritën nga Ministri i Mbrojtjes së Italisë, Lorenzo Guerini dhe ambasadori i Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi.

Sipas një njoftimi, Guerini e uroi VV-në për rezultatin dhe fitoren në zgjedhjet e 6 tetorit.

Ndërkaq, Kurti e njoftoi ministrin mbi prioritetet e Qeverisë në ardhje për ndërtimin e një shteti të së drejtës, të barabartë në mirëqenie e të qëndrueshëm financiarisht, pasi që, sipas tij, ‘populli vendosi që mbaroi pritja e gjatë për një qeveri të pakorruptuar dhe punëtore’.

“Shprehëm falenderimin dhe mirënjohjen tonë për përkrahjen dhe ndihmën e Italisë për Kosovën për paqe, zhvillim, demokratizim e siguri. Italia është edhe fqinji më i madh i Ballkanit perëndimor”, ka njoftuar Vetëvendosje përmes një komunikate për media.

“Bashkëpunimi ynë do të jetë i afërt dhe i sinqertë, si bilateral ashtu edhe për BE e NATO. Prandaj edhe takimet tona do të jenë sa më të shpeshta e sa më konstruktive”, vijon njoftimi.