Takimi Kurit- Nikshiq. Foto: ZKM.

Albin Kurti pritet në takim nga kryeministri i Federatës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Nermin Nikshiq

Kryeministri Albin Kurti është pritur në takim nga kryeministri i Federatës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Nermin Nikshiq.

Kryeministri Albin Kurti është duke zhvilluar një vizitë zyrtare në Sarajevë.

Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se gjatë këtij takimi është biseduar për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Raportet ndërmjet dy vendeve, bashkëpunimi ekonomik, mundësitë e reja dhe mënyrat e rritjes së shkëmbimeve tregtare, kulturore dhe arsimore në njërën anë, dhe zhvillimet e fundit në rajon dhe bashkëpunimi rajonal në anën tjetër ishin temat kyçe të takimit”- thuhet në njoftim.

Po sipas njoftimit, Kurti e ka njoftuar kryeministrin Nikshiq se nga 1 janari i vitit të ardhshëm qytetarët e Bosnjë e Hercegovinës do të mund të udhëtojnë në drejtim të Kosovës me letërnjoftime, siç është paraparë në marrëveshjen e nënshkruar në Berlin në nëntor të vitit 2022 në kuadër të Procesit të Berlinit.

“Ai bëri thirrje që edhe Bosnja dhe Hercegovina ta ratifikojë këtë marrëveshje sa më parë në mënyrë edhe qytetarët e Republikës së Kosovës të mund të udhëtojnë lirshëm me letërnjoftime në drejtim të këtij vendi të Ballkanit Perëndimor”- thuhen në njoftimin e ZKM-së.

ZKM ka bërë të ditur se në takimet e sotme, kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja Emilja Rexhepi, ambasadori Martin Berishaj dhe stafi i kryeministrit.