Foto: KALLXO.com

Albin Kurti prezanton buxhetin për vitin 2023 në Mitrovicë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, para qytetarëve të Mitrovicës ka shpalosur buxhetin për vitin 2023.

Kurti theksoi se sa herë që nisen për Mitrovicë u vijnë në mendje kontributi dhe sakrificat e këtij qyteti.

“Sa herë që nisemi rrugës për Mitrovicë na vijnë në mendje kontributi, sakrificat dhe gjendja e Mitrovicës. Ne do të përqendrohemi shumë që ta ndihmojmë Mitrovicën dhe nuk do të lejojmë që ky qytet të jetë i ndarë nga kryeqyteti” – ka thënë Kurti.

Sipas Kurtit, buxheti për vitin 2023 do të jetë më i larti në historinë vendit, 3.2 miliardë euro. Ai para qytetarëve tha se buxheti i planifikuar për Mitrovicën është 25 milionë euro.

“Buxheti i planifikuar për Komunën e Mitrovicës është mbi 25 milionë euro”- tha ai.

Kryeministri Kurti tutje theksoi se në fushën e arsimit është paraparë ndërtimi i dy çerdheve në Mitrovicë.

“Kemi filluar për herë të parë me një shtet social që garanton arsimin e lartë pa pagesë. Buxheti në arsim është më i larti në histori për vendin tonë. Këtë vit është paraparë buxhet për ndërtimin e dy çerdheve në Mitrovicë” – shtoi Kurti.

Kurti tregoi se edhe vitin e kaluar dhe këtë vit kenë ndarë mjete buxhetore për përfundimin e rrugës Prishtinë-Mitrovicë, me të cilën banorët e Mitrovicës janë duke u ballafaquar tash e sa kohë.

Ai tha se vonesat në përfundimin e kësaj rruge po vijnë si pasojë e planifikimit të gabuar për ndërtimin e rrugës.

Me këtë buxhet, sipas Kurtit, është paraparë edhe përfundimi i Spitalit të Pediatrisë në Mitrovicë.

Kurti inkurajoi të rinjtë e të rejat nga Mitrovica që të shfrytëzojnë mundësinë për t’u bërë ushtarë në Forcën e Sigurisë së Kosovës.