Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Albin Kurti për shkarkimin e ambasadorëve: Hapi i parë në reformën në Shërbimin e Jashtëm
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar për shkarkimin e paralajmëruar për disa ambasadorë të Kosovës, që veprojnë në shtete të ndryshme në Evropë.
Përmes një shkrimi në ‘Facebook’, Kurti ka thënë se është pajtuar me propozimin e kryediplomates Donika Gërvalla, për lirimin e ambasadorëve, siç e ka quajtur ai, të caktuar me çelës politik.
Kurti ka thënë se shkarkimi i ambasadorëve është hapi i parë në reformën në Shërbimin e Jashtëm.
“Ky propozim i Zëvendëskryeministres Gërvalla, i dekretuar nga Presidentja, znj. Vjosa Osmani, është hapi i parë në reformën e domosdoshme në Shërbimin e Jashtëm dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme e Diasporës. Këtë reformë ne e kemi nisur edhe gjatë Qeverisë sonë të parë të pranverës 2020, dhe e kemi paralajmëruar në zotimet tona elektorale dhe programin tonë qeverisës”, ka shkruar Kurti.
Ai ka thënë se ambasadorët e liruar kanë dhënë kontributin e tyre për vendin, e për çka i ka falënderuar, por sipas tij, qeverisjet e kaluara e kanë mbingarkuar Shërbimin e Jashtëm, duke e kaluar kuotën e paraparë ligjore.
Kryeministri Kurti ka bërë të ditur se bashkë me ministren Gërvalla, presidenten Osmani dhe Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë, do të fillojnë procedurat për dërgimin e diplomatëve në misione diplomatike, e që sipas Kurtit, numrin më të madh do ta përbëjnë diplomatët e karrierës.
“Ligjshmëria, reformat strukturore dhe vendosja e mekanizmave të profesionalizmit dhe meritokracisë janë shtyllat mbi të cilat qeverisja jonë do ta ndërtojë përfaqësimin dinjitoz të Republikës sonë në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar në fund Kurti.
Ditë më parë, Ministria e Punëve të Jashtme ka njoftuar se i ka kërkuar presidentes së Kosovës që t’i lirojë nga detyra të gjithë ambasadorët e emëruar politikisht.