Albin Kurti për masakrën e Dubravës: Do të angazhohemi në rikthimin e kujtimit të asaj që ka ndodhur

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka vizituar Burgun e Dubravës dhe bëri homazhe në përkujtim të Masakrës së Dubravës e cila ndodhi 21 vjet më parë.

Kurti nga kjo vizitë, sipas një komunikate për media, deklaroi se të angazhohen që të shohin rikthimin e fokusit tek ruajtja dhe kujtimi i asaj që ka ndodhur, duke shikuar mundësitë se si kjo mund të bëhet edhe fizikisht në Burgun e Dubravës.

“Masakra e Dubravës është një prej episodeve më të tmerrshme të historisë sonë. Pikërisht 21 vjet më parë, më 22 maj 1999, forcat serbe për disa ditë maltretuan fizikisht dhe psiqikisht të burgosurit, para se t’i ekzekutonin më shumë se 100 prej tyre”

“Të mbijetuarit nëpër vite kanë treguar tmerrin që kanë përjetuar në ato ditë, kur të gjithë janë mbledhur në fushë afër pavijonit të fundit dhe kanë kaluar orët të trembur, bashkë më të vdekurit”, ka thënë Kurti.

“Përkundër gjithë këtyre rrëfimeve që janë dëgjuar ndër vite, e që u thanë edhe sot, në aspektin e drejtësisë, Masakra e Dubravës është trajtuar vetëm në procedurën gjyqësore kundër Sllobodan Millosheviq në Tribunalin e Hagës, proces ky i cili ka mbetur i papërfunduar”, vijon njoftimi.

Sipas tij, asnjë gjurmë nuk shihej sot nga kjo masakër, “marrë parasysh që pavijonet e Burgut të Dubravës kanë qenë ndër të parat që janë rindërtuar menjëherë pas luftës, duke pamundësuar kështu ruajtjen e gjurmëve dhe ngjarjeve që do të na shërbenin për kujtesën kolektive”.

Kryeministrin e shoqëruan edhe të mbijetuarit Enver Dugolli e Shaban Beka, si dhe bashkëveprimtarët e prof.Ukshin Hotit, Prof. Ekrem Kryeziu, Mentor Kaçi dhe Ali Kryeziu.