Albin Kurti: Nuk do të bie në grackën e Vuçiqit

Cili mund të jetë qëllimi i reciprocitetit me Serbinë, i prezantuar nga koalicioni i ardhshëm qeverisës në Kosovë, i cili me shumë gjasë do të jetë koalicioni i përbërë nga Lëvizja Vetëvendosje, VV, dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK?

Cili është qëndrimi i qeverisë së ardhshme të Kosovës për marrëveshjet ekzistuese me Serbinë, shumica e të cilave ende nuk janë duke u zbatuar?

Si do të jetë mbarëvajtja e dialogut Beograd-Prishtinë dhe cilat janë kompromiset e mundshme?

Disa prej pyetjeve si më lartë janë pjesë e një interviste me Albin Kurtin, fituesin e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë më 6 tetor dhe kandidatin për kryeministrin e ri, dhënë portalit regjional European Western Balkans (EWB), portal ky i themeluar në vitin 2014 me seli në Bograd.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, partia e të cilit ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit në Kosovë, thotë se ai nuk do të bjerë në grackën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

I pyetur se pse Serbia do të pajtohej me ndonjë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën, pa pasur lëshime edhe nga ana tjetër, pra nga pala kosovare, Kurti përgjigjet duke thënë se në dy vitet e fundit, presidenti i Serbisë ka hartuar dy paragrafë që paraqesin një lloj kurthi. Ai i paraqet këto qëndrime sikurse është  duke bërë një lëshim, ndërkohë që në fakt ai po kërkon një lëshim.

Sipas Kurtit, paragrafi i parë i Vuçiqit thotë, “Ejani dhe më tregoni se çfarë keni për të ofruar, dhe unë jam i gatshëm të flas për ndonjë gjë. Imagjinata juaj është kufiri juaj.” Kjo mund të nënkuptojë gjithashtu bashkimin kombëtar dhe ndryshimin e kufijve në të gjithë Ballkanin, çfarëdo që dëshironi. Ky është qëndrimi i parë që nënkupton një situatë buzë greminës.

Qëndrimi i dytë i Vuçiqit, sipas Kurtit, thotë: “Unë nuk mund ta pranoj pavarësinë e Kosovës në kufijtë ekzistues”, e që sipas Kurtit, ky qëndrim përmban dy mohime të cilat nuk janë pohime, sepse Vuçiq nuk thotë “unë do ta njoh pavarësinë e Kosovës”, por mohon pavarësinë, mohon kufijtë, dhe nuk pohon asgjë. “Unë nuk jam prej atyre politikanëve të cilët bien në një grackë të tillë”, shton Albin Kurti.

Tutje, gjatë intervistës për  portalin EWB, Kurti e bën publike ofertën e tij për Serbinë.

“Unë mendoj se Serbia na ka borxh edhe për dëmshpërblimin e luftës edhe për suksesionin dhe se ajo, Serbia pra, më shumë do të duhej të mendonte për këtë sesa ta vajtonte humbjen e Kosovës pa u menduar aspak për vuajtjet e shqiptarëve. Unë mendoj se është e rëndësishme që institucionet e Serbisë të merren me vetveten, me një vetanalizë,  ku ata do të interesoheshin më shumë për popullin e sotëm serb sesa për shtetin historik serb”, shton ai.

Tutje, Kurti ka përmendur shifrat e 10.000 civilëve të paarmatosur të vrarë gjatë luftës në Kosovë, ku më shumë se 1.000 prej tyre ishin fëmijë, pastaj numrin prej rreth 120.000 shtëpive të djegura dhe të shkatërruara në vitet 1998-1999, rreth 1.200 objekte të vjedhura nga muzetë e Kosovës, depozitat bankare dhe fondet e pensioneve të vjedhura me qëllim financimin e makinerisë luftarake të Milosheviqit për të ardhur në përfundim se edhe pas krejt këtyre që kanë ndodhur, sipas tij, nuk ka drejtësi dhe as dëmshpërblim për personat e zhdukur dhe gratë e dhunuara.

Kurti e ka përsëritur qëndrimin e tij në lidhje me “reciprocitetin me Serbinë” dhe se me t’u bërë një gjë e tillë, tek atëherë ai është i gatshëm që të heqë taksën 100% ndaj mallrave të Serbisë.

“Ne e konsiderojmë Serbinë si fqinjin tonë verior dhe besojmë se reciprociteti paraqet një zgjidhje konkrete, konstruktive dhe të shëndetshme”, ka deklaruar Albin Kurti.

Sipas tij, Kosova duhet të përgatitet mirë për negociatat me Beogradin dhe se ai do të dëshironte që të arrinte një marrëveshje me Serbinë mirëpo thotë po ashtu se shpejtësia e lidhjes së një marrëveshjeje nuk duhet të jetë përparësi mbi përmbajtjen dhe parimet e asaj marrëveshjeje.

“Kosova ka përmbyllur shumë marrëveshje me Serbinë gjatë dialogut gjashtëvjeçar në Bruksel, porse problemi është se ato nuk po implementohen”, shton lideri i Vetëvendosjes.

Ai paralajmëron një takim me Përfaqësuesin e BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrel, sa i përket dialogut të ardhshëm me Serbinë.

“Unë duhet të takohem me z. Borrell dhe të arrij një marrëveshje për dialogun e vazhdueshëm me Serbinë. Zonja Mogherini ka lejuar që shumë gjëra të ndryshme të arrijnë në veshin e publikut, dhe besoj se bisedimet midis Serbisë dhe Kosovës duhet të konsiderohen në kontekstin e vlerave europiane. Jo gjithçka duhet të vendoset në tryezë”, ka deklaruar Kurti për portalin në fjalë.

Ai ka bërë të ditur se gjatë muajit të parë të mandatit të deputetëve në Kuvendin e Kosovës, ai do ta rishqyrtojë shkallën e implementimit të marrëveshjeve ekzistuese.

Po ashtu, Kurti e ka rikujtuar faktin se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e quan shkëmbimin e territoreve “një rregullim kufijsh me një kompromis të dhimbshëm” ndërkohë që presidenti serb këtë e quan “delimitim”, thuhet më tej në intervistën e Albin Kurtit për portalin EWB.

“Për çfarë korrigjimi po flasim, për cilat gabime po flasim dhe pse kjo do të duhej të ishte e dhimbshme”, ka pyetur Kurti duke shtuar se, sipas tij, kjo ide vjen nga presidenti Thaçi, dhe ai kishte dy vjet kohë për t’i bindur qytetarët e Kosovës për këtë ide të tijën. Ky projekt tashmë ka dështuar, por jo edhe ideja.

Pra, kjo nuk është e njëjta situatë sikurse me idenë e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe e cila është varrosur me një vendim të Gjykatës Kushtetuese, por këtu po flasim për një projekt të dështuar, ku ideja nuk ka vdekur por ekziston akoma, ka deklaruar Kurti.

Duke folur për mundësinë e bojkotimit eventual të të gjitha institucioneve të Kosovës nga ana komunitetit serb në Kosovë, Kurti ka deklaruar se “edhe në të kaluarën ka pasur bojkote të përkohshme, mirëpo asgjë nuk ka rezultuar prej tyre”.

Sipas tij, ligjvënësit serbë në Kosovë janë të vetëdijshëm se ata mund të bëjnë shumë më tepër për t’i ndihmuar serbët në Kosovë nëse janë pjesë e Kuvendit sesa nëse qëndrojnë jashtë tij dhe në të njëjtën kohë i ka bërë thirrje të gjithë përfaqësueseve serbë që të përfshihen në punën e institucioneve të Kosovës duke vënë në dukje se kjo nuk nënkupton se unë do t’i doja ata në koalicionin qeverisës.

Sipas tij, institucionet kosovare kanë një përgjegjësi kushtetuese që të kenë një ministër të qeverisë nga komuniteti serb, dhe këtë duhet respektuar.

“Tani po fillon një kapitull i ri i vendit tonë, dhe po e përsëris, unë nuk do t’i ekskomunikoj ata, por është për keqardhje se çfarë lloj zgjedhjesh i kanë fituar serbët në Kosovë më 6 tetor për shkak të parregullsive dhe presioneve dhe ne do të bëjmë gjithçka që kjo të ndryshojë në zgjedhjet e ardhshme. Unë dua ta shoh Listën Serbe si opozitë gjatë mandatit tonë të ardhshëm qeverisës”, ka deklaruar lideri i Vetëvendosjes për portalin European Western Balkans (EWB).