Albin Kurti niset drejt Kuvendit për të marrë besimin e deputetëve për kryeministër

Kryeministri në ardhje, Albin Kurti ka folur para pak minutave për medie në lidhje me seancën plenare të Kuvendit të Kosovës për votimin e përbërjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Kurti ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për mbajtjen e kësaj seance.

“Kemi bërë të gjitha përgatitjet e nevojshëm për seancën e sotme. Synimi ynë është që të zgjedhim qeveri të re e cila do të punoj mbarë e mirë e sipas programit të harmonizuar me një ekip shumë të mirë të kabinetit”, ka thënë Kurti.

Ai tutje ka falënderuar qytetarët që kanë mundësuar një ditë të tillë.

“Falënderoj qytetarët që na kanë mundësuar një ditë të tillë, në të cilën duan që ndryshimin e madh politik që ata e kanë bërë me 6 tetor, ne si përfaqësues të tyre ta shndërrojmë në ndryshim qeveritar ta institucionalizojmë ndryshimin e shkaktuar nga vullneti i popullit”, u shpreh Kurti.

Ai tutje ka bërë të ditur se do të zhvillojë takimet përfundimtare edhe me disa deputetë pasi që të shkojë në zyrën e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Është një ditë, kapitull i ri edhe në Kosovë edhe në jetën e popullit por edhe në aktivitetin tim politik, më në fund do ta kem shansin dhe përgjegjësinë t’i shërbej popullit si asnjëherë më parë”, tha Kurti.

Sot mbahet seanca plenare e Kuvendit të Kosovës për votimin e përbërjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Seanca nis në ora 11:00, me të vetmen pikë të rendit të ditës: zgjedhja e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Ndryshe dje dy partitë LVV-LDK kanë arritur marrëveshje për qeverisje.

Albin Kurtin, mandatar për kryeministër

Publiée par Kallxo.com sur Lundi 3 février 2020

Albin Kurti: E kemi nënshkruar marrëveshjen me LDK-në