Albin Kurti: Nëse nuk bëhet koalicioni VV-LDK, shkojmë prapë në zgjedhje

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në një intervistë në KTV ka thënë se takimi me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafen dhe kandidaten për kryeministre, Vjosa Osmani pritet të mbahet të enjten.

Ai ka thënë se nëse nuk arrihet marrëveshja për bashkëqeverisje me LDK-në atëherë vendi do të shkojë përsëri në zgjedhje.

“Ose të bëhet koalicioni VV-LDK ose po shkojmë në zgjedhje prapë”, tha Kurti duke përjashtuar mundësinë për formimin e koalicionit me ndonjë parti të tjetër.

“Dje kam kontaktuar me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën dhe me kandidaten për kryeministre nga LDK-ja, Vjosa Osmanin. Kam kërkuar nga ta që të takohemi ose sot ose në ditët në vijim. Sipas të gjitha gjasave, takimi do të jetë enjten, që të mos humbim kohë, që të fillojmë bisedimet për koalicion e ardhshëm qeverisës”, u shpreh ai, dy ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

Ai gjithashtu shtoi se PDK-ja dhe Lista Serbe duhet të jenë në opozitë pasi që sipas tij, të dy këto subjekte politike janë më shumë ‘shtete se parti’.

Isa Mustafa: Do të takohemi me Albin Kurtin për mundësitë e bashkëqeverisjes

Gjithashtu edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa orë më parë tha se këto ditë së bashku me kandidaten për kryeministre, Vjosa Osmanin, do të takohen me kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, “për të vlerësuar procesin zgjedhor dhe mundësitë e bashkëqeverisjes”.

Mustafa në një njoftim ka thënë se në një garë tepër të ngushtë mes VV-së dhe LDK-së do të dihet përfundimisht pasi të përfundon numërimi i plotë i të gjitha votave.

“Këto ditë, së bashku me kandidaten tonë për kryeministre, znj. Vjosa Osmani, do të takohemi me Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, z. Kurti për të vlerësuar procesin zgjedhor dhe mundësitë e bashkëqeverisjes. Do të vazhdojmë aty ku e kemi lënë para fillimit të procesit zgjedhor, duke respektuar vullnetin e qytetarëve të shprehur me votë të lirë në një proces demokratik zgjedhor por edhe interesin e LDK-së”, thuhet në postimin e Mustafës në rrjetin social ‘Facebook’.