Albin Kurti ndjek nga stadiumi ndeshjen Kosova- Anglia
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kandidat për kryeministër, Albin Kurti, ka paralajmëruar se do të jetë i pranishëm në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë për të parë ndeshjen Kosovë-Angli.
Kurti përmes Facebook-ut ka folur për ngjarjet që sipas tij po i përsëriten këtë të diel.
“Sikur para tri dekadave, e diela po më përsëritet sot. Në mesditë me bokserët Xhevdet Pecin, Mehmet Bogujevcin, Aziz Salihun, Fatmir Makollin e Beqir Berishën, kurse pasdite te ‘Fadil Vokrri’ në stadiumin e qytetit me futbollistët tanë”, ka shkruar ai.
Kurti ka bërë të ditur se ka ndjekur disa meçe në kuadër të edicionit të 21-të të Turneut Ndërkombëtar të Boksit “Adem Jashari”.
“Mu në këtë sallë të Pallatit të Rinisë dikur ngadhënjente Klubi i Boksit ‘Prishtina’, disa orë para se në fushën e blertë të ngadhënjete Klubi Futbollistik ‘Prishtina’ me Vokrrin që shënonte. Mirupafshim sonte në ndeshjen Kosovë-Angli”, thuhet në publikimin e tij.
Lideri i VV-së, Albin Kurti së fundi ka ndryshuar diskursin e tij kundrejt ndeshjeve të Kombëtares së Kosovës në futboll.
Edhe në ndeshjen e kaluar, Kurti ka qenë i pranishëm në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në përballjen Kosovë-Mali i Zi.
Albin Kurti pritet të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës, pas fitores së partisë së tij në zgjedhjet e 6 tetorit.
Kurti nga lindja, Thaçi e Haradinaj nga perëndimi i stadiumit e përcjellin ndeshjen Kosova-Mali i Zi