Albin Kurti ‘merr mbështetjen’ e Blerim Rekës

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje priti sot një mysafir nga Shkupi, jo për ta anëtarësuar në parti, por për të biseduar rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë dhemë gjerë.

Diplomati shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Blerim Reka, u takua me Kurtin ndërsa ky i fundit tha se ambasadori Reka e mbështet Vetëvendosjen.

Reka ka qenë kandidati i vetëm shqiptar në zgjedhjet për President të Maqedonisë së Veriut muaj më parë ndërsa Vetëvendosje e kishte mbështetur publikisht kandidaturën e tij.

Komenti i plotë i Albin Kurtit në Facebook:

Ambasadori Reka mbështet VETËVENDOSJE!-n

Sot prita Ambasadorin, Prof. Dr. Blerim Reka, me të cilin biseduam për gjeopolitikën ballkanike në prag të zgjedhjeve në Kosovë. U pajtuam se pas tri dekadash të tranzicionit post-konfliktual, erdhi koha për tranzicion post-korruptiv të rajonit, meqenëse korrupcioni mbetet kërcënim strategjik dhe derë e hapur për fuqitë jashtë komunitetit Euro-Atlantik. Konstatuam se janë shpresëdhënëse qëndrimet e reja të faktorit ndërkombëtar mbi reciprocitetin dhe simetrinë lidhur me bisedimet Kosovë-Serbi, e që mungonte gjatë dialogut shtatë vjeçar të Brukselit. Lëvizja VETËVENDOSJE! mund ta bëjë ndryshimin aq të pritur në Kosovë, tha ambasadori Reka duke na dëshiruar sukses në zgjedhje.