Albin Kurti: Marrëveshjet e sotme me Serbinë nuk u autorizuan nga qeveria ime

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka qenë e informuar për marrëveshjet e arritura sot në Munih të Gjermanisë.

Ai ka thënë se as teksti i marrëveshjes së nënshkruar nuk është bërë i ditur për ekzekutivin kosovar.

“Sot në Munih janë nënshkruar dy marrëveshje nga zyrtarë të autorizuar nga ish ministri Pal Lekaj dhe i gjithë procesi i negocimit është bërë para fillimit të Qeverisë sonë. Së këndejmi, këta zyrtarë nuk kanë marrë autorizim nga Qeveria e re as për të negociuar e as për të nënshkruar marrëveshje. Për më tepër as teksti i marrëveshjes nuk është bërë i njohur për publikun e për Qeverinë. Kanë qarkulluar drafte të ndryshme jozyrtare”, ka shkruar kryeministri kosovar në Facebook.

“Sado që të gjitha lidhjet dhe avancimi i standardeve të infrastrukturës janë të domosdoshme për zhvillim të vendeve tona dhe pjesë e vizionit Evropian për bashkëpunim rajonal dhe marrdhënie të fqinjësisë së mirë, megjithatë është shumë me rëndësi që procesi të jetë transparent, rezultat i një negocimi të mirëfilltë dhe në respektim të plotë të sovranitetit dhe ligjeve të vendit, prioriteteve ekonomike dhe në harmoni me obligimet që dalin nga procesi i MSA-së”, thuhet tutje në reagimin e Kurtit.

Ai ka thënë se po analizohen marrëveshjet e arritura sot por edhe ajo e disa ditëve më parë, mbi linjat ajrore.

“Për më tepër, nëse bazohemi te një verzion i marrëveshjes, po qe se analizohet për nga rëndësia ekonomike, hekurudha për në Leshak është më me prioritet dhe më e levërdishme sesa ajo për Merdare. Në procesin e tranzicionit të qeverisjes, ne jemi duke analizuar të gjithë hapat që janë marrë në të kaluarën dhe ministritë përkatëse janë të angazhuara që këtë ta trajtojnë me prioritet”, thuhet në fund të postimit të Albin Kurtit.