Albin Kurti kujton Betejën e Çabratit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar 22 vjetorin e Betejës së Çabratit në Gjakovë, ku ranë dëshmorë 22 pjesëtarë të UÇK-së si dhe 107 civilë të vrarë nga data 7 maj deri më 11 maj 1999.

Kurti përmes një postimi ka thënë se i kujtojnë me dhimbje dhe krenari 1,022 civilët e vrarë gjithsej në Gjakovë nga lufta e fundit.

“Përgjatë tre ditëve sa zgjatën luftimet në Betejën e Çabratit ranë 22 dëshmorë të UÇK-së, kurse nga data 7 deri më 11 maj 1999 u vranë 107 civilë nga forcat serbe. Në komunën e Gjakovës në luftën e fundit janë vrarë gjithsej 1022 civilë të paarmatosur gjersa janë 361 dëshmorë të UÇK-së nga luftimet e drejtpërdrejta edhe brenda në qytet. 22 vjet më pas i kujtojmë me ndjenjën e dhimbjes, pikëllimit e krenarisë por edhe të obligimit për vendin e popullin tonë që ata e deshën aq shumë”, shkroi Kurti në llogarinë e tij në rrjetin social facebook.