Albin Kurti: Ku ka pjesëtarë të Njësisë Speciale, nuk ka rrezik

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një konference për media ka folur rreth situatës së krijuar në veri të vendit pas vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme për vendosjen e targave të përkohshme në veturat që hyjnë nga Serbia në Kosovë.

Kurti ka thënë se po të mos ishin pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak nuk do të ishin aty.

“Ju e patë se çfarë ndodhi mbrëmë pas mesnatës në Zubin Potok dhe Zveçan. Aty nuk ka pas forca të policisë dhe për këtë ka ndodhur. Ata e kanë pas për qëllim shkatërrimin e pikave ku qytetarët mund të furnizohen me targa të përkohshme. Po të mos ishin pjesëtarët e Policisë së Kosovës, Njësia Speciale pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë nuk do të ishin aty. Ato janë aty sepse ka polici. Ata buldozer që janë vendosur nëpër rrugë, ata do t’i rrëzonin pikat”, tha Kurti.

Ai ka shtuar se Kosova nuk duhet të bie pre e propagandës mediatike të Serbisë.

“Nuk bëjmë të biem pre e propagandës serbe. Në ditën e gjashtë, 9 mijë automjete i kanë marrë targat e përkohshme. Presidenti i Serbisë nuk po i pëlqen kjo gjë, por nuk po është problem për nëntë mijë qytetarë të tjerë që janë pajisë me këto targa. Ne nuk kemi pranuar nga Serbia sjellje korrekte, por ne vendimet i marrim në bazë të gjendjes së sigurisë”, shtoi Kurti.