Albin Kurti komenton emërimin e Agim Veliut si ministër i Brendshëm

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti pas daljes nga Kuvendi ka thënë se puna e ministrave do të shihet në ditët, javët e muajt në vijim.

Kështu u deklarua pasi u pyet nga KALLXO.com nëse Agim Veliu do të jetë ministri më i mirë  i Brendshëm që mund të jetë në Qeverinë Kurti.

“Çfarë ministrash do të jenë këta 15 do t`i shohim në ditët, javët, muajt në vijim. Këtë do ta bëjmë edhe më mbikëqyrjen time e të Kuvendit por edhe të juve si media”, tha ai.

Kryeministri theksoi se ende nuk i kanë caktuar zëvendësministrat nëpër ministri, kur u pyet se kush do të jetë zëvendës i Agim Veliut në MPB nga radhët e LVV-së.

 

Kabineti qeveritar i Albin Kurtit

Kurti shtoi se nuk kanë koalicion me Listën Serbe.

“Ne kemi përmbushur obligimin kushtetues dhe nuk kemi koalicion me Listën Serbe, por në Qeverinë e Kosovës nuk do të ketë LVV, LDK, NDS e LS aty do të jemi në shërbim të Republikës sonë në bazë të Kushtetutës edhe ligjit dhe sipas programit tonë të dakorduar”, u shpreh ai.

Mes tjerash Kurti bëri të ditur se nesër do të bëhet zyrtarisht pranim dorëzimi i detyrës së re të tij në Qeverinë e Kosovës.

“Nesër diku në orën 11 do ta kemi pranim dorëzimin në Kryeministri dhe më pastaj edhe nëpër ministri përkatëse dhe do të kemi edhe një mbledhje ceremoniale të parë të qeverisë së re”, tha ai.