Albin Kurti - FOTO KALLXO

Albin Kurti komenton deklarimet për varrezat masive me viktimat shqiptare në Serbi

Deklarimet e fundit të zyrtarëve serb që mbajnë detyra në Qeverinë e këtij shteti për varreza masive në Serbi kanë ngjallur reagime dhe debat në të dy vendet.

Ditë më parë Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, në një intervistë kishte thënë se “çfarë duhet të bëjmë me serbët, të cilët i tregojnë shqiptarëve dhe kroatëve, flasin budallallëqe të ndryshme dhe u tregojnë atyre se ku janë të varrosur shqiptarët në të gjithë Serbinë”.

Ndaj këtyre deklarimeve të Daçiqit kishin reaguar edhe zyrtarë nga Kosova duke përfshirë Vjosa Osmanin, Vlora Çitakun e Behgjet Pacollin.

Së fundmi ish kryeministri dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka përmendur një deklaratë nga ana e Nenad Çanak të dhënë në një debat televiziv në Serbi.

Sipas Kurit Çanak kishte thënë se ish ministri i Policisë në Serbi Dushko Mihajloviq ka deklaruar se “Unë nuk mund të fle. Më duhet ta ndaj këtë me ju. Ne kemi gjetur 16 varreza masive në Serbi”, ka shkruar Kurti duke i’u referuar një deklarimi të dhënë shumë vite më parë, respektivisht në vitin 2005.

Kurti tutje ka shkruar se ka ende familje në Kosovë që ende të pikëlluar kërkojnë për më të dashurit e tyre, duke shpresuar se ata mund të gjenden një ditë.

Sipas Albin Kurtit “Asnjë paqe e qëndrueshme nuk mund të arrihet për sa kohë që Serbia fsheh varret masive të shqiptarëve që ata rrëmbyen dhe ekzekutuan”.

Pos deklarimeve të Daçiqit për varrezat masive, një reagim kishte pasur edhe ndaj deklarimeve të ministrit serb të mbrojtje Aleksandar Vulin.

Ministri serb Vulin, kishte reaguar ashpër ndaj marrëveshjes së arritur të premten mes Kosovës dhe Shqipërisë, ku thuhet se Porti i Durrësit do t’i takojë Kosovës.

Vulin i është drejtuar shqiptarëve me termin ofenduar “shiptari”, ka deklaruar se kryeministri i Shqipërisë Edi Rama po vazhdon me përpjekjet e tij për të krijuar një “Shqipëri të Madhe”.