Albin Kurti kërkon seancë të Kuvendit për votimin e Qeverisë

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se mandatari për kryeministër, Albin Kurti, për ditën e nesërme ka kërkuar mbledhje të Kryesisë së Kuvendit, për caktimin e seancës për votimin e Qeverisë.

“Kërkesa e kandidatit për kryeministër, Albin Kurti, për thirrjen e seancës plenare të Kuvendit për votimin e përbërjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Mbledhja është caktuar të mbahet nga ora 9:00.

Kërkesa e Kurtit vjen pas një varg takimesh me Lidhjen Demokratike të Kosovës për formimin e koalicionit qeverisës.

Në takimin e fundit mes Albin Kurtit dhe Isa Mustafës, ku të pranishëm ishin edhe ambasadorët e vendeve të Quint-it, dy liderët e partive që dolën të parat në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 thanë se nuk kanë arritur të përafrojnë qëndrimet për formimin e koalicionit.

Isa Mustafa: Ne mund të lidhim marrëveshje në çdo moment nëse Vetëvendosje pranon kushtet tona

Po ashtu, Albin Kurti është takuar sot me përfaqësuesit e partive parlamentare të pakicave.