Albin Kurti kërkon që dialogu të bëhet nga një qeveri "legjitime e kredibile"

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka pritur në zyrën e tij përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi dhe çështje tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Në këtë takim ata ndanë qëndrimet dhe kundërvështrimet e tyre sa i përket procesit, qëllimeve dhe zhvillimeve në dialog.

“Lajčák foli për rëndësinë dhe nevojën e vazhdimit të Dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se dialogu i lehtësuar nga BE-ja paraqet një proces serioz i cili ka dy qëllime bazë: normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë dhe afrimin e dy vendeve pranë e në BE. Pra, dialogu mes tyre si proces dhe marrëveshja përfundimtare si produkt janë të lidhura ngusht me të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë. Në këtë drejtim, nuk mund të ketë vakum, por ose përparim ose prapakthim, shtoi Miroslav Lajčák”, thuhet në njoftimin e LVV.

Në anën tjetër Kurti është shprehur se procesi i dialogut duhet të jetë i përgatitur mirë e me qëllime të qarta.

“Duke qenë proces i një rëndësie të tillë ai duhet të jetë i përgatitur mirë, me parime e qëllime të qarta, me qeveri legjitime dhe kredibile, kornizë të dakorduar paraprakisht nga palët e përfshira, dhe përfshirje e aprovim të vazhdueshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Të dy u pajtuan të mbesin në kontakt në funksion të mirëmbajtjes dhe avancimit të bashkëpunimit të deritanishëm”, është shprehur Kurti.

Në këtë takim mori pjesë edhe ish- ministri i Shëndëtësisë dhe anëtari i kryesisë, Arben Vitia, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, dhe deputetja Fitore Pacolli Dalipi. Gjithashtu të pranishëm ishin edhe tre këshilltarët e Lajçakut, Ana Maria Boura, Katharina Kandt dhe Umerr Al-Khatib, dhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadorin Tomash Szunyog.