Albin Kurti kërkon projektligj të ri për pagat

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, gjatë një prononcimi për media, ka folur edhe për grevat e sindikatave të arsimit, shëndetësisë dhe të policisë.

Kurti ka thënë se duhet një projektligj i ri, i cili i plotëson pakënaqësitë dhe e eliminon pabarazinë.

“Veq se ne as si deputetë sot as si qeveri nesër nuk mund t’i dalim përballë vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Jemi në pritje të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, me ç’rast të gjitha që do të thuhen aty do t’i adresojmë. Përndryshe, unë besoj që kemi nevojë për një projektligj të ri, pra që e plotëson dhe e ndryshon këtë aktualin, në mënyrë që pabarazitë e ngelura të eliminohen”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka thënë se nuk mund të ketë një vozitës i Kryeparlamentarit pagën më të lartë se një drejtor i shkollës. Kurti deklaroi se Ligji për Paga duhet të ndryshohet dhe të plotësohet, por duhet të merret parasysh edhe Gjykata Kushtetuese.

“Të mos harrojmë që edhe me këtë Ligjin e ri për Paga, ta zëmë shoferi apo vozitësi i Kryeparlamentarit e ka pagën më të lartë se drejtori i shkollës. Andaj pabarazitë e ngelura janë të papranueshme dhe duhet të adresohen në një projektligj të ri për pagat, të plotësohet dhe ndryshohet ky aktuali, e me ç’rast duhet të merren parasysh ato që nga thotë Gjykata Kushtetuese me aktgjykimin e saj”, ka thënë lideri i Vetëvendosjes.

Sot sindikatat e arsimit, shëndetësisë dhe të policisë po mbajnë greva disa orëshe, për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e përkohshëm të Ligjit për Paga, pas ankesës së Avokatit të Popullit. Këto sindikata kërkojnë që Ligji të hyjë në funksion dhe t’i marrin pagat me rritje, siç e parasheh ky Ligj.

Mjekët në të gjitha nivelet nisin grevën