Albin Kurti: Jam kërcënuar nga "Garda Vullnetare Shqiptare"

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar se është kërcënuar nga një grup që veten e quan “Garda Vullnetare Shqiptare”.

Kurti ka publikuar në Facebook një komunikatë të këtij grupi.

Tutje, Kurti ka thënë se ky kërcënim nuk është ndaj tij, por ndaj Gjykatës Kushtetuese, e cila pritet të japë vendimin rreth dekretit të presidentit Thaçi lidhur me nominimin e Avdullah Hotit për kryeministër.

Për këtë kërcënim Kurti thotë se vjen nga “regjimi i vjetër”.

“Ata janë të frikësuarit që duan të frikësojnë Gjykatën Kushtetuese dhe jo vetëm. Ata po duan t’i frikësojnë edhe ambasadorët e Quintit me destabilizim nëse kapoja i PRONTO-s, Presidenti i Republikës, e humbet rastin”, ka shkruar ai në Facebook.

Ky është reagimi i plotë i kryeministrit Kurti:

Kërcënimi ndaj meje nga e ashtuquajtura “Garda Vullnetare Shqiptare”, në fakt, nuk është ndaj meje. Ky është kërcënim ndaj Gjykatës Kushtetuese, në veçanti, ndaj Kryetares së Gjykatës, znj. Arta Rama-Hajrizi dhe Gjyqtarit Raportues të çështjes KO 72/20, z. Nexhmi Rexhepi. Nuk ka shpjegim tjetër.

Regjimi i vjetër e di se nuk ka shpresë për të. Pasi që kanë harruar sa moti e patën braktisur popullin, tash populli po ua përkujton përditë se edhe ai masivisht i ka braktisur ata.

Ata janë të frikësuarit që duan të frikësojnë Gjykatën Kushtetuese dhe jo vetëm. Ata po duan t’i frikësojnë edhe ambasadorët e Quintit me destabilizim nëse kapoja i PRONTO-s, Presidenti i Republikës, e humbet rastin.

Dekreti i Presidentit nuk është amandament kushtetute. Për çka nuk flet Kushtetuta nuk mund të flasë Presidenti. Ai duhet ta respektojë Kushtetutën dhe nuk mund ta shkruajë atë.

Ne jemi duke i ndjekur me kujdes zhvillimet teksa po presim Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në zgjedhjet e ardhshme do ta thellojmë diferencën si asnjë subjekt tjetër i parë në Kosovën e pasluftës.