Albin Kurti i shkon në 'konak' Ramiz Lladrovcit, diskutuan për gjendjen nga pandemia

Kryeministrin në detyrë i Kosovës, Albin Kurti bashkë ministren në detyrë të Ministrisë së Administrimit së Pushtetit Lokal, Emilia Rexhepi kanë vizituar Komunën e Drenasit për të diskutuar për gjendjen e krijuar nga pandemia COVID-19.

Siç njofton Komuna e Drenasit, Lladrovci tha se janë në zbatim të plotë të gjitha masave dhe se qytetarët me disiplinë të lartë po i respektojnë.

“Ne me kohë i kemi marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar përhapjen e virusit, gjithmonë duke respektuar edhe rekomandimet e IKSHP-së dhe vendimet e Qeverisë. Deri tani nuk ka raste të konfirmuara me rezultat pozitiv të virusit, dhe për këtë falënderoj qytetarët të cilët po i zbatojnë masat dhe rekomandimet. Gjithashtu, falënderoj gjithë akterët e angazhuar, si punëtorët shëndetësorë, të administratës komunale, inspektoratin, Shtabin Emergjent, zjarrfikësit, zyrtarët policor, dhe të gjithë vullnetarët që kanë ndihmuar me donacione”, ka deklaruar kryetari Lladrovci.

Ndërsa, kryetari Lladrovci në emër tij dhe kryetarëve tjerë, ka shprehur indinjatë të thellë lidhur me masat e reja të Qeverisë të cilat nuk janë hartuar në konsultim me komunat, për të cilën ka reaguar edhe publikisht Asociacioni i Komunave të Kosovës. Ndërsa, Ministrja Rexhepi është arsyetuar se pajtimin e komunave për vendimin e mbrëmshëm e ka marrë nga Drejtori i Asociacionit të Komunave, Sazan Ibrahimi.

Në fund të takimit thuhet se kryeministri Kurti ka përgëzuar kryetarin dhe qytetarët për disiplinën e treguar në zbatimin e masave dhe menaxhimin e situatës.

Komuna e Drenasit ka të shënuar vetëm një rast me coronavirus.

Albin Kurti në Skenderaj takohet me Bekim Jasharin, flasin për COVID-19