Albin Kurti i ri i bashkohet Vetëvendosjes në Gjakovë

Lëvizjes Vetëvendosje së fundi i është bashkuar një anëtar i ri, i cili bart të njëjtin emër e mbiemër sikurse kryetari i kësaj partie, Albin Kurti.

Agon Batusha kryetar i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Gjakovë, në Facebook ka bërë të ditur se Albin Kurti është anëtari më i ri i Qendrës së VV-së në këtë qytet.

“Pas entuziasmit të fitores, po pranojmë anëtarësime të djemve dhe vajzave të reja, kryesisht votues për herë të parë. Mbrëmë pranuam anëtarësimin e Albin Iljaz Kurtit. Koiqidencë, por e vërtet e madhe”, ka shkruar Batusha.

Sipas kryetarit të degës së VV në Gjakovë, Kurti ka lindur në vitin 1999 dhe jeton në Gjakovë.

“Me profesion është rrobaqepës, por pasion e ka dizajnin. Albin, emri dhe mbiemri yt është simbol i shpresës në Kosovë. E di, është përgjegjësi, por mbi gjitha mbaje me krenari se #erdhiDita”, thuhet në publikimin e Batushës.

Lëvizja Vetëvendosje sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, është fituese e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 6 tetorit.