Video mesazhi i ri i Albin Kurtit, ftesë për tubimin në sheshin "Skenderbeu"

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti përmes një videomesazhi ka ftuar qytetarët që të mblidhen nesër prej orës 17:00 në sheshin “Skenderbeu” në Prishtinë.

Ky tubim, sipas Kurtit, është organizuar me rastin e shënimit të dy përvjetorëve, njëri për shkak të 21 vjetorit të çlirimit të vendit dhe 15 vjetorit të themelimit të Lëvizjes Vetëvendosje. Ai ftoi qytetarët që gjatë këtij tubimi të respektojnë distancën sociale për shkak të situatës pandemike.

Ish-kryeministri në këtë video përsëriti edhe zgjedhjet e reja, për të cilat u shpreh i bindur se do të fitojnë.

“Ne këtë përvjetor të dyfishtë ne ndodhemi në situatën që kërkon durim dhe zgjidhje. Durim për ta tejkaluar pandeminë COVID-19 që nuk ka kaluar dhe zgjidhje duke hyrë në zgjedhjet që po vijnë. Në këto 15 vite kemi dëshmuar se e bëjmë opozitën fuqishëm si askush më parë. E sivjet e kemi dëshmuar që e bëjmë qeverisjen mirë si askush tjetër. Ne po rritemi shumë sepse në zgjedhje të tjera do të fitojmë mbi shumën e të tjerëve. Nuk ka Lëvizje pa popull, kurse në Kosovë populli është bërë lëvizje. Ejani nesër në këtë tubim paqësor, me muzik e fjalime. Ejani masivisht në 15 vjetorin tonë, teksa kujtojmë edhe 21 –vjetorin e çlirimit të vendit dhe çmimin e lartë që paguan breza të tërë që ne të jetojmë shumë më mirë se sot”, u shpreh Kurti.

Tubim publik paqësor, të premten, në sheshin "Skënderbeu", në ora 17:00

Tubim publik paqësor, të premten, në sheshin "Skënderbeu", në ora 17:00, për të shënuar 21 vjetorin e çlirimit të Kosovës e 15 vjetorin e formimit të VETËVENDOSJE!-s.

Publiée par Albin Kurti sur Jeudi 11 juin 2020