Albin Kurti flet rreth ftesës së Thaçit për mandatarin për kryeministër


Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, përmes një shkrimi në ‘Facebook’, ka reaguar në lidhje me ftesën e presidentit Hashim Thaçi, që i ka bërë Vetëvendosjes, që ta japë emrin e mandatarit për kryeministër.

Kurti ka shkruar se presidenti ka vendosur ta anashkalojë Kushtetutën.

“Presidenti ka vendosur të anashkalojë nenin 82.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës i cili i referohet situatës pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit ndaj Qeverisë. Presidenti po sillet thua se Qeveria varet nga Kuvendi por ky s’varet nga populli, thua se zgjedhjet demokratike janë mjet por jo edhe vlerë”, ka shkruar Kurti.

Sipas tij, presidenti nuk është neutral dhe ka interes politik e synim personal.

“Presidenti takoi gjitha partitë parlamentare politike, dhe, më pas kërkoi nga subjekti ynë fitues i zgjedhjeve të propozojë kandidatin për Kryeministër. Pra, Presidenti nuk është neutral, ai ka interes politik dhe synim personal, gjersa duhej t’ishte i paanshëm e procedural. Disi don të besojë se 25 marsi 2020 ka ndodhur pa 3 shkurtin 2020”, ka shkruar kryeministri në detyrë.

Kurti në fund të shkrimit ka shkruar se ‘ne do t’i përgjigjemi (presidentit), në një moment të përshtatshëm, në këtë kohë virusi’.

Gjatë ditës së sotme, Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i ka shkruar kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, duke i kërkuar emrin e mandatarit për formimin e qeverisë së re.

Thaçi i shkruan Kurtit, ia kërkon emrin e kandidatit për Kryeministër (DOKUMENT)