Albin Kurti flet për deklaratën e Salih Zybës për Shpend Ahmetin

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se nuk e përkrah reagimin e bashkëpartiakut të tij, Salih Zyba, i cili në një postim të tij, i është drejtuar kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, se “s’do të jetë as deputet e as kryetar i komunës, ndërsa vendin ku do të jetojë ka të drejtë ta zgjedhë si Xhabir Zharku”.

Kurti ka deklaruar në një intervistë në KTV se nuk e ka lexuar postimin e ish-deputetit dhe që nuk u takon atyre që të bëjnë kësi lloj krahasimi.

“Nuk e kam lexuar fare këtë, por unë nuk jam për krahasime të tilla. Mendoj që kemi shumë punë më të mençme sesa tash të merrmi kush s’kaloi, çka u ba e çka do ta gjejë. Nuk na takon neve që ta themi ketë”, tha ai.

“Unë jam për një dashuri të madhe për vendin tonë, për një angazhim të madh për progresin. Nuk jam për të humbur as kohë as energji as nerva me çështjet e kaluara e hatërmbetjet. Nuk jam fare për aso lloj qasjesh por liria e shprehjes është, çka të bëj unë tash. Opozitarizmin për Prishtinë s’e bëjnë deputetët, por dega e Prishtinës”, shtoi Kurti.

Deklarimi i Salih Zybes në rrjetin e tij social ‘Facebook’, ka ngjallur reagime të shumta në opinion.