Albin Kurti edhe zyrtarisht kandidat për kryeministër

Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje u vendos edhe zyrtarisht që Albin Kurti të jetë kandidati për kryeministër të Kosovës në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Gjatë kësaj mbledhjeje, në fjalimin e tij, Kurti e ka quajtur moment historik 14 shkurtin.

“Në këto zgjedhje është bashkimi i qytetarëve si kurrë më parë rreth projektit të përbashkët për ta bërë Kosovën vendin që të gjihë e dëshirojnë. Ne jemi të gjithë në të njëjtin projekt, është projekti i dëshmorëve të luftës dhe dëshmorëve të paqes, sot ndodhemi në një pikë historike, është momenti kur e ardhmja e vendit tonë varet nga vendimi i secilit prej nesh”, ka thënë Kurti.

Ai tutje në fjalimin e tij ka folur edhe rreth marrëdhënieve me Serbinë.

“Marrëdhëniet me Serbinë do të ndërtohen mbi reciprocitet, madje mbi bazën e së kaluarës së afërt e cila ende nuk është mbyllur, Gjithçka duhet të nisë me dokumentim të dëmeve të luftës, gjetjen e personave të zhdukur, e me ndjekje e dënim të kriminelëve të luftës”, ka thënë Kurti.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, sot kanë nënshkruar një marrëveshje e cila përmban 10 zotime për të bashkëqeverisur.

Në kuadër të bashkëpunimit të tyre kryetari i LVV-së dhe ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani janë shprehur të vendosur për luftimin e pakompromis të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

KALLXO. com ka siguruar marrëveshjen në fjalë të nënshkruar mes Kurtit e Osmanit.

Zotimi i parë i këtij bashkëpunimi është Vetting-u në drejtësi, ndërsa ai i fundit është vendimmarrje, konsensus dhe marrëveshje paraprake për procese strategjike.

Zgjedhjet në Kosovë do të mbahen më 14 shkurt.

Zotimet mbi parimet e bashkëpunimit

Të vendosur për luftimin e pakompromis të korrupsionit dhe krimit të organizuar si parakusht thelbësor për konsolidimin e demokracisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm në vend;

Të bindur se e ardhmja do të jetë më e mirë dhe më premtuese për të gjithë kur qytetarëve u garantohen të drejta të barabarta, investohet në arsim e shëndetësi, si dhe kur interesat e qytetarëve janë në qendër të politikbërjes në vend;

Të zotuar që Kosova të jetë vend ku të rinjtë e shohin të ardhmen e tyre dhe qytetarët të gëzojnë mirëqenie të mirëfilltë dhe jetë me dinjitet;

Të fokusuar në luftimin e pandemisë dhe të përkushtuar për adresimin e pasojave ekonomike me qëllim të rimëkëmbjes;

Të përkushtuar për zgjerimin e bashkëpunimit politik afatgjatë në nivel qendror dhe lokal;

Palët zotohen për:
  1. Prioritizim të rishikimit funksional të sistemit të drejtësisë me vettingun si pjesë integrale të këtij procesi, si dhe vendosmëri të plotë drejtë luftimit të pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend.
  2. Prioritizim të rimëkëmbjes ekonomike pas pandemisë, duke i orientuar investimet dhe planifikimin buxhetor kah sektori i shëndetësisë, mbrojtja e mjedisit, digjitalizimi, investimi në kapital njerëzor, nxitja e prodhimit vendor me qëllim të përqafimit të një koncepti zhvillimor ekonomik të qëndrueshëm inovativ.
  3. Përkushtim të plotë që pengesat që do të udhëheqin dikasteret qeveritare të jenë të kualifikuar, kompetent dhe me integritet dhe se do të ketë pajtim në mes të palëve lidhur me emrat që do t’i udhëheqin këto dikastere bazuar në kriteret e mësipërme..
  4. Rishikim dhe miratim të legjislacionit vendor si dhe zbatim me përgjegjësi të reformave të nevojshme në përputhje me standardet evropiane me qëllim të integrimit të Republikës së Kosovës së Kosovës në Bashkimin Evropian, si dhe për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
  5. Angazhim për përfaqësim të unifikuar dhe gjithëpërfshirës në vendimmarrje në procesin e dialogut Kosovë-Serb.
  6. Respektim të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe mos mbështetje të asnjë nisme që cenon rregullimin kushtetues, integritetin territorial, parimin e unitaritetit të shtetit dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.
  7. Rishikim të përfaqësimit dhe organizimit të shërbimit diplomatik me qëllim të përfaqësimit të dinjitetshëm të vendit në nivel ndërkombëtar;
  8. Ruajtje dhe kultivim të aleancave me partnerët ndërkombëtarë dhe investim në zgjerimin dhe avancimin e aleancave të tashme dhe të ardhshme;
  9. Synim të arritjes së përfaqësimit të barabartë gjinor në qeveri dhe në institucionet e tjera;
  10. Vendimmarrje me konsensus dhe marrëveshje paraprake për proceset strategjike në vend.