Albin Kurti do të takohet me përfaqësues të Listës Serbe

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti sot pritet që të takohet me përfaqësues parlamentarë të minoriteteve, përfshirë edhe atyre të minoritetit serb.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka.

Ai tha se me Listën Serbe do të diskutohet programi qeverisës sidomos “në fushat që kanë impakt në jetën e këtij komuniteti”.

“Kryetari Albin Kurti, në kuadër të bisedimeve për të krijuar qeverinë, përveç diskutimeve intensive me partnerin kryesor qeverisës, LDK-në, do të takohet edhe me përfaqësuesit parlamentarë të minoriteteve, përfshi edhe minoritetin serb. Me këta të fundit do të diskutohet programi qeverisës sidomos në fushat që kanë impakt në jetën e këtij komuniteti. Po ashtu do të diskutohet edhe për propozimet e z. Kurti sa i përket drejtuesit të ministrisë që do të drejtohet nga dikush prej minoritetit serb, siç garanton kushtetuta”, ka thënë Manxhuka.

Ende nuk dihet ora ose mbajtja e takimit.

Lëvizja Vetëvendosje ende nuk ka arritur marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës pavarësisht takimeve të vazhdueshme.