Albin Kurti: Do rrisim numrin e Prokurorëve për gjykim e krimeve të luftës në mungesë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se edhe 22 vite pas luftës, hetimi dhe gjykimi i krimeve ka mbetur i heshtur nga sistemi i drejtësisë.

Kurti theksoi ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale para dy viteve, ku u lejua gjykimi në mungesë për kriminelët e luftës.

“Sot u mbushën dy vjet prej kur Kuvendi i Republikës së Kosovës pati ndryshuar Kodin e Procedurës Penale, duke mundësuar kështu gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës. 22 vite pas luftës, e dy vjet pas këtij plotësim-ndryshimi, hetimi dhe gjykimi i krimeve të luftës ende mbetet çështje e heshtur e institucioneve dhe e sistemit tonë të drejtësisë”, ka shkruar Kurti.

Ai shtoi se po punohet në rritjen e numrit të Prokurorëve në Prokurorinë Speciale të Kosovës për gjykim në mungesë të kriminelëve të luftës.

“Jemi duke punuar edhe në rritjen e numrit të prokurorëve brenda Prokurorisë Speciale. Ndërkaq, me themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, do të kemi më në fund dokumentim të qartë e të plotë mbi krimet e Serbisë në vendin tonë”, tha ai.

Kurti theksoi se Kosovës i nevojiten Prokurorë aktivë e të mençur dhe gjykatës efikas e të ditur, pasi sipas tij, Kosova nuk ka kohë për të humbur.