Albin Kurti dhe Nenad Rashiq mbajnë konferencë të përbashkët për media

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka paralajmëruar konferencë për media sot në ora 13:30 në oborrin e qeverisë.

Sipas njoftimit të ZKM, Kurti këtë konferencë do ta mbajë bashkë me Nenad Rashiq, Këshilltar Politik i Kryeministrit në detyrë dhe njëkohësisht udhëheqës i Zyrës për Çështje të Komuniteteve, do të mbajnë konferencë për medie.

Prokuroria Speciale e Kosovës më 10 prill ngriti aktakuzë ndaj 4 ish-ministrave të qeverisë Thaçi 2 për faljen e katër hidrocentraleve gjatë privatizimit të distribucionit të KEK-ut.

Njëri nga të akuzuarit është edhe Nenad Rashiq, këshilltari i kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit.

Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 6 tetorit të 2019, në një intervistë për KALLXO.com, Nenad Rashiq kishte deklaruar se nuk ta paramendonte vetën të jetë pjesë e Qeverisë ose Parlamentit në rast se ka aktakuzë.

“Nuk mund të paramendoj vetën, të qëndroj dhe të jem pjesë e parlamentit ose qeverisë e të kem aktakuzë. Kështu që nuk besoj”, kishte deklaruar Nenad Rashiq në një intervistë për KALLXO.com para zgjedhjeve të 6 tetorit të 2019.

Ditë më parë edhe kryeministri Kurti është përgjigjur nëse do ta shkarkoj Rashiq nga pozita pas ngritjes së aktakuzës, mirëpo Kurti kishte thënë se do të shikojë rrugën më të mirë për këtë rast.

“Nuk është mirë ajo çka ka ndodhë, sepse është një proces ku kryesisht kreu nuk është akuzuar dhe janë akuzuar diçka një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve, diçka që është shprehi e shtetit të kapur por mua më ka ardhur keq kur kam marrë vesh këtë lajm nuk e kam ditë. Por do ta takoj kreun e zyrës për komunitete në Zyrën e Kryeministrit dhe do ta shohim se cila është rruga më e mirë për të ardhur në konkluzionin e njëjtë që ta bëjmë ndryshimin. A është shkarkimi apo dorëheqja un kam shumë respekt për të po e them të drejtën. Pavarësisht aktakuzës mendimi im për z Nenad Rashiq nuk ndryshon ama e kuptoj që ka ndryshu situata dhe do të ndryshoj pozita, por më lejoni që ta takoj sepse prej kur është publikuar nuk e kam takuar”, ka thënë Kurti deri sa ishte i ftuar në Debat Plus në Televizionin Dukagjini.