Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Albin Kurti deklarohet për moslejimin që ai të jetë kandidat për deputet

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka deklaruar se nuk është në dijeni për asnjë vendim të KQZ-së, që atij të mos i lejohet kandidimi në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Kurti tha para gazetarëve se nuk kanë marrë ndonjë shkresë nga KQZ-ja.

“Unë nuk jam në dijeni për kurrfarë vendimi të tillë të KQZ-së. Nuk kemi marr ndonjë shkresë unë si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe as kryesia. Por, ajo që po e vërej në Kosovë është një entuziasem i jashtëzakonshëm për zgjedhjet e 14 shkurtit”, tha ai.

Kreu i LVV-së shtoi se mërgata prinë në interesimin për të votuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme.

“Kurrë nuk ka pasur më shumë interesim për pjesëmarrje në këto zgjedhje, këtu mërgata prin por edhe populli në Kosovë shpresoj që të gjithë jemi dëshimtar se më gëzim po e pret 14 shkurtin dhe ky vullnet i madh i qytetarëve për ndryshime në vitin 2021 besoj që duhet të ndiqet edhe nga institucionet relevante të shtetit”, u shpreh ai.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ish-ministrja e Drejtësisë nga kjo parti, Albulena Haxhiu janë në mesin e 47 personave të cilët kanë probleme me ligjin. Kjo është konfirmuar sot nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, merr vesh KALLXO.com.