Albin Kurti: BE po zmbrapset përballë fashizmit

Udhëheqësi majtist kosovar, Albin Kurti, i cili pritet të bëhet kryeministri i ri i Kosovës e ka dënuar vendimin e Bashkimit Evropian që të stopojë zgjerimin e mëtejshëm të Ballkanit, duke thënë se kjo tregon se udhëheqësit perëndimorë kishin harruar mësimet e dy luftërave botërore dhe në vend të kësaj po dorëzoheshin përballë fashizmit dhe populizmit.

Albin Kurti në një intervistë për gazetën britanike ‘The Guardian’ ka deklaruar se një qëndrim i këtillë mund t’i dëmtojë shanset e Kosovës për arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë, pasi që Beogradi do të jetë më pak e nxitur që të veprojë në mungesë të një perspektive për anëtarësim në BE.

Franca ka shkaktuar një dozë shqetësimi në rajon gjatë samitit të BE-së javën e kaluar duke bllokuar Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim dhe duke  i shkatërruar shanset e Serbisë për anëtarësimin e saj në BE në një të ardhme të parashikueshme. Presidenti francez Emmanuel Macron është këmbëngulës se Evropa duhet të përqendrohet në reformat e saj të brendshme.

“BE u krijua si një përgjigje ndaj fashizmit, por tani po frikësohet përballë populistëve dhe fashizmit,” i tha Kurti gazetës ‘The Guardian’.

Duke e kritikuar presidentin francez, Makron, ai tha: “Nuk mund të thoni se fillimisht ne kemi nevojë për reformë të brendshme në BE dhe më pas zgjerim të jashtëm – të dyja këto shkojnë paralelisht. Evropa është një projekt kaq i rëndësishëm historik sa askush nuk mund ta ketë autorësinë e saj, duke e drejtuar apo udhëhequr atë. Ne gjithmonë kemi qenë dëshmitarë se kur [Presidenti i Komisionit të BE-së në largim] Jean-Claude Juncker ka deklaruar se nuk do të kishte zgjerim të mëtejshëm në pesë vitet e ardhshme, situata në Ballkan është përkeqësuar”.

“Po, BE është e rëndësishme për Ballkanin, por Ballkani është shumë më i rëndësishëm për BE. Berlini dhe Parisi duhet ta dinë mirë këtë, dhe është vërtet pikëlluese, për të gjithë ne, kur e harrojnë këtë. Në dy dekada, historianët do të shkruajnë se nuk kishte dy luftëra botërore, por kishte vetëm një luftë botërore me dy episode, dhe e gjitha kishte filluar në Sarajevë. ”

Lëvizja e majtë nacionaliste shqiptare e Albin Kurtit, Vetëvendosje, doli si partia më e madhe pas zgjedhjeve të parakohshme muajin e kaluar. I burgosur për 18 muaj nga policia serbe gjatë kulmit të konfliktit ushtarak të Serbisë me Kosovën në vitin 1999, Kurti, aktualisht 44 vjeç, është në prag të marrjes së pushtetit, duke premtuar se do t’i japë fund dydekadëshit neoliberal të Kosovës.

Aktualisht Kurti është në bisedime me partinë e qendrës së djathtë, LDK, e cila u rendit e dyta, për formimin e një koalicioni qeverisës në të cilën një minimum prej 30% të përbërjes qeveritare do të jenë gra. Kurti parashikon një marrëveshje për një koalicion qeverisës brenda një muaji dhe thotë se prioritet e tij janë vendet e punës dhe drejtësia, jo arritja e ndonjë marrëveshjeje me Serbinë.

Pas shumë viteve të dështimit kundër korrupsionit, ai premton se do t’i japë fund asaj që ai e konsideron si kapje e gjyqësorit nga shteti.

Përballë borxhit në rritje dhe emigracionit, Kurti tha se ai ishte i vendosur po ashtu që t’i japë fund hendekut të madh të aftësive në fuqinë punëtore, të fokusohet në arsimim dhe të zvogëlojë varësinë industriale nga normat e interesit gjymtuese të bankave me pronësi të huaj: “Ne duhet ta bëjmë vendin tonë të jetueshëm dhe të bindim më shumë njerëz që të mos e braktisin vendin tonë. ”

Megjithatë Kurti do të jetë nën presionin ndërkombëtar për arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë. Shtetet e Bashkuara sapo kanë emëruar një të dërguar të ri special për të rinisur dialogun midis dy vendeve.

Kurti paralajmëron se do ta heqë taksën 100% të importit për mallrat serbe të vendosura nga kryeministri në largim, vetëm me masa të reciprocitetit ndaj Serbisë. Njëkohësisht Kurti deklaron se Beogradi duhet ti japë fund fushatës së saj diplomatike ndërkombëtare që ka si synim t’i bindë shtetet e botës që ta ç’njohin Kosovën. “Nëse Serbia dëshiron të rifillojë dialogun, ajo duhet t’i ndalojë në mënyrë eksplicite shpifjet e saja ndaj së drejtës tonë për shtetësi,” tha ai.

Serbia, për shembull, ka kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Interpol, UNESCO dhe Këshillin e Evropës. “Serbia duhet të përballet me të kaluarën e vet, në vend që të shikojë Kosovën dhe Shqipërinë përmes dylbive ushtarake. Serbia ka nevojë për një vet-vlerësim ”.

Kurti tha se programi i tij qeverisës trefazësh do të fillojë me një dialog nga poshtë-lart me serbët në Kosovë për bashkëpunim praktik, për shembull në bujqësi, i përcjellë me një vlerësim të 33 marrëveshjeve të nënshkruara me Serbinë nën ndërmjetësimin e BE-së në vitin 2012, dhe në fund një takim me Josep Borrell, shefin e ardhshëm të politikës së jashtme të BE-së. “Ne nuk mund të lejojmë një dialog tjetër të dështuar. Dialogu duhet të ketë parime të qarta,” tha Kurti. Borrell ka premtuar se vizita e tij e parë jashtë shtetit si Shef i Jashtëm i BE-së, do të jetë pikërisht në Kosovë.

Kurti deklaron se është plotësisht kundër shkëmbimit territorial me Serbinë, një ide kjo e iniciuar këtë vit nga Presidenti serb, Aleksandar Vucic dhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. “Çfarëdo kufiri i ri që do të formohet, do të lë serbë ose shqiptarë në anën tjetër, dhe ata pretendojnë se kjo mund të bëhet në mënyrë paqësore.”

Serbët kanë frikë se agjenda e tij e vërtetë do të kërkojë një lloj konfederate me Shqipërinë duke margjinalizuar pakicën serbe në veri të Kosovës.

Serbia tashmë e ka cilësuar dhe dënuar si provokuese vendimin e Kurtit për të takuar diplomatët e huaj në selinë e partisë së tij me flamurin shqiptar në sfond. Ai thotë se flamuri zyrtar i Kosovës i ishte imponuar vendit me një vendim që përjashtonte ngjyrën e kuqe dhe të zezë si dhe shqiponjën “sikur ne ta shpallnim pavarësinë nga Shqipëria e jo nga Serbia”.

Megjithatë, Kurti është zotuar se në cilësinë e tij zyrtare, si Kryeministër i Kosovës, ai do të mbajë dhe respektojë flamurin zyrtar të Kosovës: “Unë kam detyra më të rëndësishme për të bërë sesa rirregullimin e mobiljeve në zyrën e kryeministrit.”

Përgatiti: Nuhi Shala