Albin Kurti: Asnjëri nuk mundemi pa njëri-tjetrin

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur sot një fjalim në hapje të Festivalit Multikulturor të Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve

Në këtë fjalim, Kurti u ka folur të pranishmëve për planet e tij për ngritjen e të drejtave të komuniteteve pakicë në Kosovë.

Më poshtë mund ta lexoni të plotë fjalimin e Kurtit:

Mirëdita të gjithëve,

Llaço dive,

I nderuari z. Skënderi,

Të nderuar Ambasadorë,

Ambasador i Zvicrës, z. Lebet, dhe

Ambasador, Shef i OSBE-së, z. Braathu,

Përfaqësuses të organizatave dhe shoqatave të ndryshme,

Të nderuar pjesëmarrës,

Në çdo shoqëri, progresi shoqëror nuk matet me kushtet, mundësitë dhe mirëqenien e atyre që gjenden në majë, por me kushtet, mundësitë dhe mirëqenien e atyre që gjenden më poshtë, e sidomos të atyre që gjenden në fund.

Afër 18% e qytetarëve tanë jetojnë nën kufirin e varfërisë, prandaj ata që jetojnë nën kufirin e varfërisë janë kaq të shumtë dhe u përkasin të gjitha komuniteteve pa dallim.

E di që liderë të shumtë kanë folur këtu edhe në të kaluarën. Kanë dhënë premtime për të ardhmen dhe kanë ngritë shpresën me fjalime mirë të thurrura, por që gjithçka është harruar me t’i përfunduar ato.

Unë nuk kam ardhur këtu për fjalim të mirë e as për të dhënë premtime. Jam këtu sepse kam një pikëpamje ndryshe për zhvillim dhe progres të shoqërisë tonë. Jam këtu sepse zhvillimin tonë ekonomik e shoqëror e shoh tek zhvillimi i qytetarit dhe komunitetet pa dallim. Në Republikën e Kosovës qytetarët janë të barabartë, ata duhet të bëhen të barabartë, ku nuk janë, medoemos.

Kushtetuta jonë i veçon komunitetet, por unë nuk mendoj se duhet t’i shohim komunitetet si programe dhe si projekte, si departamente dhe si agjenci të ndara nga qeveria, sepse kjo do të bënte dallimin dhe diskriminimin që në fillim.

Unë dua të angazhohem që secili qytetar i republikës të përfitojë në mënyrë të drejtë e të barabartë nga politikat e shtetit të cilat sjellin rezultate konkrete, për të gjithë juve, për secilin prej juve. Edhe për ata të cilët sot nuk janë me neve, por i kanë të njëjtat halle e probleme.

Për këtë dua të flas sot, pra për individin dhe qytetarin e shtetit tonë, dhe, për mundësitë e barabarta e të garantuara nga shteti si shansë për progres kolektiv.

Me kushtetutën e Republikës së Kosovës, minoritetet gëzojnë të drejta të veçanta, krahas të drejtave dhe lirive themelore që i gëzon çdo qytetar i republikës.

Në këtë drejtim, Kosova i njeh dhe i trajton si komunitet i veçantë dhe i konsideron si të tillë edhe nominalisht, edhe praktikisht. Në këtë kuptim, kushtetuta jonë ka një kapitull të tërë për të drejtat e komuniteteve. Është kapitulli i tretë i cili rregullon përgjegjësitë e shtetit, të drejtat e komunitetit, përfaqësimin e tyre në organe të shtetit dhe në administratën publike.

Këto janë të drejtat e garantuara dhe të posaçme që i trajtojnë veçantë komunitetet. Të trajtosh tjetrin të veçantë do të thotë ta trajtosh disi të ndarë nga tërësia. Prandaj kurrsesi nuk duhet lejuar që veçantia e kujtdo qoftë të bëhet paragjykim, diferencim ose përjashtim nga shumica.

Ne duhet të investojmë e do të investojmë që të rrisim përfaqësimin e komuniteteve brenda të gjitha partive e jo thjesht t’i ndajmë ato.

Kur ne si shumicë u themi pakicave që të krijojnë partitë e tyre ne po u themi qe ju rregulloni vetë problemet tuaja.

Problemet tona janë të përbashkëta, prandaj nuk i zgjidhim dot të vetëm e të izoluar. Asnjëri nuk mundemi pa njëri-tjetrin.

Kushtetuta jonë garanton dhe njeh diversitetin kulturor dhe identitetin e veçantë të komuniteteve. Për shtetin tonë ky diversitet kulturor është pasuri dhe aspak kërcënim, prandaj edhe do të vazhdojmë ta mbrojmë dhe kultivojmë.

Por politika jonë duhet të jetë ajo e pjesëmarrjes dhe jo e diferencimit.

Për të hequr gjuhën e urrejtjes, për të ulur paragjykimet mes vete, për të pranuar më shumë për njëri-tjetrin, ne duhet të mësojmë bashkë, të punojmë e të veprojmë bashkë. Jo si të ndarë e të veçantë, por si të bashkuar e të barabartë para kushtetutës e para ligjit, për demokracinë e republikën.

Mundësitë janë, nëse janë të garantuara. E këtu para se gjithash shkollimi.

Fëmijët nuk duhet të jenë në rrugë, por në shkollë.

Fëmijët nuk duhet të përdoren për punë, por duhet të mësojnë në shkollë.

Fëmijët nuk duhet të martohen, por duhet të mbarojnë shkollimin.

Kjo do të jetë përgjigja e qeverisë ndaj problemit të lypjes në rrugë, martesave të hershme dhe braktisjes së shkollimit.

Shkollimi është e drejtë e garantuar me kushtetutë, por nuk mund të thuhet se është e drejtë e barabartë sot në Kosovë.

Pengesat e udhëtimit, të ushqimit në shkolla dhe të ndalesave nga prindërit duhet të hiqen dhe të ofrojmë kushte të barabarta.

Qasjë në shkollë për fëmijët që jetojnë 50 metra larg saj nuk është e njëjtë si kurse për ata që bëjnë kilometra për të shkuar në shkollë. Fëmijët që mësojnë në shkolla të stërmbushura me nxënës, pa dritë, pa ngrohje e ku pikon uji nga tavani nuk janë të barabartë me ata që mësojnë në shkolla cilësore e moderne.

Cilësia e shkollimit dhe mësimnxënies nuk është e njëjtë për fëmijët e varfër dhe të kequshqyer me ata që ushqehen mirë e që i kanë mësuesit më të mirë në Kosovë. Pra, jo vetëm investim në shkolla si objekte e beton, por si kushte dhe si mundësi të barabarta.

Edukimi është çelësi i suksesit për individin, por është edhe çelësi për progresin tonë si shoqëri që të konkurrojmë në një botë të ideve dhe të dijes, investimi në edukim nuk ka alternativë dhe duhet të jetë dhe do të jetë për të gjithë i barabartë.

Si kryeministër i Republikës së Kosovës do të angazhohem për një edukim publik cilësor pa pagesë i cili është vërtetë i barabartë në mundësi, sepse shteti duhet t’i ofroj kushtet e barabarta, por duhet të ndihmojë më së shumti e më së pari aty ku nevojat janë më të mëdha. E nuk ka dyshim që këta janë shumica dërrmuese e komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptian.

Kur nisesh për shkollë, nisesh nga shtëpia, nga banesa. Kur kthehesh nga mësimi në shkollë, kthehesh në shtëpi, në banesë. E drejta e banimit është po ashtu e garantuar me kushtetutë dhe me ligjet tona, por mundësia për të siguruar banim është e vështirë, sepse nuk ka punë sepse mungojnë shkathtësitë, sepse mungojnë njohuritë, sepse mungon shansa për të punuar.

Synimi im është që të çrrënjosim varfërinë në Kosovë sepse varfëria është armiku ynë kryesor i cili nuk njeh as racë e as etni.

Ne kurrë nuk mund të nxjerrim familjet dhe qytetarët nga varfëria thjesht duke rritur skemën sociale, por duke investuar në edukim, në përfitim të shkathtësive dhe në zhvillim ekonomik të përqëndruar në punësim.

Qasja në shëndetësi cilësore gjithashtu duhet të jetë e garantuar për të gjithë, jo vetëm në letër por në praktikë, në jetën e përditshme e jo vetëm në tekstin e ligjeve, rregullave e të Kushtetutës. Komunitetet, për shkak të varfërisë, posaçërisht romë, ashkali e egjiptian janë të prekur më shumë nga mungesa e shëndetësisë publike cilësore.

Martesat e hershme duhet adresuar si shtet dhe si komunitet. Investimi në edukim te fëmijët dhe te prindërit duhet të shkojë bashkë me luftimin e varfërisë dhe krijimin e kushteve për punë.

Të nderuar të pranishëm,

Dhuna është e papranueshme. Atë duhet ta luftojmë me edukim, me punësim dhe me policim në komunitet. Varfëria rëndon mbi të gjithë, por më së shumti te gratë. Rreth 80% e vajzave dhe grave sot nuk janë pjesë e tregut të punës. E kur kërkojnë punë, ato e kanë së paku tre herë më të vështirë të gjejnë punë se sa burrat. Kjo situatë është edhe më shumë e rënduar te romët, ashkalitë dhe egjiptianët, prandaj investimi në edukim cilësor duhet të shkojë paralel me zhvillimin ekonomik për të rritur pavarësinë financiare te gratë dhe vajzat.

Gjuha e urrejtjes duhet të dënohet kurdo që ajo ndodhë. Së pari nga liderët që kanë përgjegjësi më të madhe e pastaj nga të gjithë të tjerët. Mënyra më e mirë e luftimit të paragjykimeve është kur ne edukohemi, punojmë e veprojmë së bashku, e jo të ndarë.

Gjatë mandatit tim, unë do të punoj ngushtë me përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve që të heqim paragjykimet mes nesh, të luftojmë varfërinë, të investojmë në edukim, banim e punësim dhe të zvogëlojmë  pabarazinë dhe të rrisim mundësitë për jetë më të mirë.

Mirëqenia dhe dija rriten kur ndahen, sa më shumë që i ndajmë mirëqenien dhe dijen aq më shumë rriten ato. Prandaj qeveria jonë do të jetë qeveria e cila do t’i ndajë, e do t’i rris mirëqenien edhe dijen sepse ky është zotimi ynë para popullit pa dallim, e në veçanti për ata që i kanë kushtet më të vështira.

Në fund më lejoni të them që multikulturalizmi nuk është i mjaftueshëm vetëm me tolerancë. Toleranca është shumë më e mirë se jotoleranca, mirëpo as toleranca nuk mjafton. Kemi nevojë për bashkëpunim e për ndërveprim. Kemi nevojë për simpati, empati dhe solidaritet. Të jemi bashkë, sepse të punojmë bashkë. Kur dikush i thotë dikujt “unë po të toleroj ty”, ose nëse ju me thoni mua “Albin ne po të tolerojmë ty, sepse e ke zgjatur shumë fjalimin”, kjo do të thotë që i keni të gjitha arsyet të mos më toleroni. Kur dikush toleron dikë seç ka një izolim midis atyre subjekteve, midis atyre qytetarëve, midis atyre njerëzve. Neve nuk duhet të lidhemi me njëri-tjetrin vetëm përmes tolerancës. Ne duhet ta luftojmë jotolerancën, por duhet të lidhemi me bashkëpunim e me ndërveprim.

Ndonëse e zgjata fjalën, ju falenderoj për tolerancën tuaj, ju dëshiroj punë të mbarë në këtë festival shumë të rëndësishëm, jo vetëm për romët, ashkalitë e egjiptianët, por për të gjithë popullin tonë në Republikën e Kosovës.

Ju falemnderit.