Albin Kurti arsyeton vendimet e kontestuara për emërime në IPK

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka sqaruar se pse gjatë ditës së sotme, U. D i Ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka shkarkuar Kryeshefen e IPK-së dhe ka emëruar Ushtruesin e Detyrës për këtë pozitë në mënyrë të kundërligjshme.

“Për shkak të të gjeturave të Auditorit të Brendshm është bërë edhe shkarkimi i Miradie Kelmendit. Sot z. Sveçla ka emëruar në ushtrues detyre”, tha Kurti.

Jeta Xharra kërkoi nga Kurti sqarime se pse në pozitën e ushtruesit të detyrë është zgjedhur një person që nuk i plotëson kushtet pasi nuk është Drejtor Departamenti ashtu siç kërkon Ligji për IPK.

“Do të duhej të ishte drejtor i departamentit por për shkak që të gjithë drejtorët e departamenteve janë duke u trjatuar me hetime”, shtoi Kurti.

Ushtruesi i Detyrës së Ministrit të MPBAP-së, Xhelal Sveçla, orët e pasditës ka marrë vendim që të shkarkojë nga pozita e Kryeshefes Ekzekutive të Inspektoratit Policor të Kosovës, Miradije Kelmendi.

Ne vend të Kelmendit siç mëson KALLXO.com është emëruar Ushtrues Detyre të Kryeshefit të IPK-së, Exhevit Zukën.

Zuka është Udhëheqës i Divizionit Divizionit për Planifikim dhe Çështje Ligjore në Inspektoratin Policor të Kosovës.

Sipas Ligjit për Inspektoratin Policor të Kosovës, më saktësisht Neni 15, pika 4 thuhet qartë se “në rastet e përfundimit të mandatit, shkarkimit apo suspendimit të Kryeshefit Ekzekutiv të IPK-së, Ministri menjëherë cakton njërin nga drejtorët e departamenteve të IPK-së, si ushtrues detyre të Kryeshefit Ekzekutiv deri në përzgjedhjen e Kryeshefit Ekzekutiv të IPK-së”.

Zuka në këtë rast është emëruar jashtëligjshëm pasi që i njëjti nuk është drejtor departamenti por udhëheqës i divizionit, pra një pozitë më poshtë se drejtori.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga ana e Ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, në lidhje me emërimin i cili del që është në kundërshtim me Ligjin e IPK-së.

Sot KALLXO.com kërkoi sqarime nga ana e MPBAP-së por nuk ka marrë përgjigje, as Zyra për Informim, as nga ana e Asistentit dhe Ministrit të MPB-së.

Ministri Sveçla ka qenë i paqasshëm edhe në telefon.

Inspektorati Policor i Kosovës funksionon me Kryeshefin Ekzekutiv në krye, pesë departamenteve dhe 17 divizioneve.