Albena Reshitaj kërkon që sot të votohet Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike

Deputetja e AAK-së, Albena Reshitaj, tha se e rëndësishme është situata epidemiologjie në vend. Ajo ka kërkuar që të votohet sot edhe Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike Covid – 19.

“Dua të kërkoj nga Kryetarja e Kuvendit dhe gjithë ju deputet që sot pas mbarimit të kësaj seance të iniciojmë një seancë të jashtëzakonshme për ta miratuar Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike Covid 19”, tha Reshitaj gjatë debatit për situatën e pandemisë në vend.

Reshitaj tha se kur tërë bota ka kthyer fuqinë njerëzore e profesionale në luftë me virusin e në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve, populli ynë sipas saj po rrezikon të pësoj jo vetëm nga simptomat virusale Covid 19 por edhe nga “sulmet e armiqve tanë në plagët e luftës sonë çlirimtare”.

“Populli ka nevojë më shumë se kurrë të na shohë bashkë duke punuar për të dalë faqebardhë nga kjo situatë përtej përçarjeve e divergjencave të brendshme politike. Deputetë do të doja të sjellë në kujtesën e secilit prej jush pozitë e opozitë rëndësinë e ligjit për rimëkëmbje ekonomike”, tha ajo.

Reshitaj, tha se miratimi i Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike do të krijojë mundësi shtesë për mbajtjen gjallë të bizneseve dhe sigurimin e të ardhurave për shumë punëtorë e familje.