Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Albena Reshitaj kërkon nga shteti ndihmë financiare për familjet që humbën kryefamiljarin nga COVID-19

Deputetja Albena Reshitaj gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës ka kërkuar nga Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë që të mbështesin financiarisht familjet të cilat kanë humbur kryefamiljarin nga infektimi me COVID-19.

“Kërkoj nga Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë që të trajtojnë me një ndjeshmëri më të lartë familjet që kanë humbur kryefamiljarin në betejën kundër COVID-19 i cili ka mbajtur familjen. Kërkoj nga shteti që të ketë ndihmë financiare për këtë kategori dhe ndaj atyre familjeve që kanë humbur kryefamiljarin dhe fëmijet janë nën moshën 18 vjeç”, tha ajo.

Reshitaj shtoi se pandemia nuk duhet të politizohet pasi që kjo prek jetën e njeriut.

“Në duhet të luftojmë së bashku për sigurimin e vaksinave, duke marrë parasysh që disa shtete vetëm janë duke e përmbyllur këtë proces. Bashkëpunimi institucional dhe serioz i të gjithëve që do të ndihmonte në sigurimin e vaksinave sa nuk është bërë shumë vonë, është ajo që i duhet popullit”, tha ajo.

Në seancën e sotme të Kuvendit po diskutohet për gjendjen me pandeminë COVID-19 në Kosovë.