Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Albena Reshitaj: Dua të besoj se nuk ka shkolla që përdorin ende qymyrin si lëndë djegëse

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Albena Reshitaj, gjatë diskutimit për raportin vjetor të gjendjes së mjedisit për vitin 2020, ka thënë se raporti prezanton gjendjen reale të vendit.

Reshitaj ka theksuar se rëndësi të veçantë duhet kushtuar cilësisë së ajrit duke pasur parasysh edhe hyrjen në sezonin e dimrit. Ajo beson se institucionet shkollore publike nuk përdorin qymyrin si lëndë djegëse për ngrohje.

“Vendimi për ndërprerjen e përdorimit e qymyrit në institucionet publike e veçanarisht në shkolla është vendim që unë e kam marrë më 2018. Dua të besoj që Inspektoriati Mjedisor i ka dhe duhet inspektuar shkollat nëse janë duke e respektuar këtë vendim. Dua të besoj se ky vendim ka arritur të respektohet dhe Inspektorati e ka bërë punën e vet dhe nuk ka shkolla që përdorin si lëndë djegëse qymyrin. Po kërkoj një bashkëpunim ndërminsitror për të reflektuar për gjendjen e ajrit, sepse jemi në prag të dimrit”, tha ajo.

Kuvendi i Kosovës ka diskutuar rreth raportit për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2020.