Albena Reshitaj në Gjykatë, si dëshmitare në aferën e 53 milionëshit | Foto: KALLXO.com

Albena Reshitaj dëshmon në gjykimin ndaj Pal Lekaj që po akuzohet për ‘aferën 53 milionëshit’

Ish-ministri Pal Lekaj së bashku me Eset Berishën, Nebih Shatrin dhe Besim Tahirin janë ulur përsëri në bankën e të akuzuarve për aferën 53 milionëshit.

Të njëjtit akuzohen se janë përfshirë në afera korruptive kur ishte vendosur për ndarjen e këtyre mjeteve në emër të vazhdimit të punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi”.

Sot dëshminë e saj për këtë rast ka filluar ta jap deputetja e Kuvendit të Kosovës, Albena Reshitaj e cila në atë kohë ka qenë ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor edhe anëtarë në komitetin ndërministror.

Reshitaj gjatë dëshmisë në Gjykatë tha se nuk ishte pajtuar me dokumentacione dhe kishte kërkuar që të pajiset me to, lidhur me kërkesën për kompensim në shumë prej 63 milionë euro i cili ishte propozuar nga përfaqësuesi i Bechtel-enkës pranë Ministrisë së Infrastrukturës.

“Kam kërkuar sqarime, kam kërkuar me u pajisë me dokumentacione…, për shkak të mungesës së shkresave nuk kam votuar pro, më vonë jemi pajisur, pra zyrtarët kanë marrë dokumentacionin dhe e kanë analizuar, dhe më kanë sugjeruar që të kërkojmë një opinion ligjor nga ekspertë” – tha deputetja Reshitaj

Tutje dëshmitarja tha që pas pajisjes me dokumentacione dhe pas analizimit të tyre e njëjta kishte kërkuar me shkrim që të posedonte edhe opinionin ligjor.

Reshitaj tha që nuk i ishte prezantuar një opinioni deri në mbledhjen e fundit të komitetit, ku ishte thënë(në mbledhje) që një opinion ligjor është përgatitur.

“Jo, deri në një fazë në mbledhje të fundit, ku është thënë që ëshyë përgatit një opinion ligjor”- tha Reshitaj

Reshitaj tha që nuk kishte votuar personalisht për këtë propozim të paraqitur nga Bechtel&Enka, për arsye që kishte kërkuar opinionin ligjor nga ekspertët e fushës për ta këshilluar nëse duhet të votohet apo jo.

“Mund të flas për veten time, ju them me përgjegjësi të plotë që në disa takime që kam marrë pjesë, nuk kam votuar për këtë shumë, me arsyetimin se kam kërkuar opinion ligjor nga ekspertët e fushës për të na dhënë informacione nëse duhet apo nuk duhet të votohet apo jo e njëjta kërkesë” – tha tutje Reshitaj.

Pas kësaj deputetja tha që në mbledhjen e parafundit të komitetit, nuk kishte qenë prezent që nga fillimi, aty ishte vendosur që të mos votohet si komitet, por çështja të procedohet tutje në Qeveri për vlerësim.

“Unë e kam pas këshilltarin tim (në mbledhje) dhe nuk më kujtohet nëse ka pas një hard-copy të opinionit ligjor, me sa më kujtohet nga ministri Lekaj ka thënë që e kemi një opinion ligjor, dhe me mirëbesim, kemi vendos për me procedu më tutje në Qeveri për vlerësim dhe votim” – tha Reshitaj gjatë dëshmisë së saj.

Reshitaj shtoi se duke pas parasysh se në kryeministri kanë mundur të bëhen të gjitha filtrat ligjor, e duke menduar se të njëjtat filtra përbrenda qeverisë janë shterur, e njëjta kishte nënshkruar raportin për procedim në Qeverinë e Kosovës.

Seanca e sesionit të paradites u ndërpre për të vazhduar pasdite me dhënien e dëshmisë nga Reshitaj pas kërkesës së deputetes, që t’i mundësohet shkuarja në fakultet ku edhe është mësimdhënëse për të ligjëruar.

Ish-ministri Lekaj dhe tre zyrtarët e tjerë, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri akuzohen se janë përfshirë në afera korruptive kur ishte vendosur për ndarjen e këtyre mjeteve në emër të vazhdimit të punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi” që lidh kryeqytetin me Hanin e Elezit.

Me veprimet e tyre ata akuzohen se buxheti i Kosovës i është shkaktuar dëm në vlerë prej 38.321.346.00 euro.

Sipas PSRK-së, ndonëse të pandehurit kanë qenë në njohuri që sipas aneks-kontratës kostoja shtesë në emër të shtyrjes së afatit të punimeve të jetë 14 milionë e 778 euro, me dashje kishin nënshkruar një marrëveshje të re pa kosto.

Aktakuza thotë se Lekaj kishte caktuar Eset Berishën që të marrë pjesë në negociata për arritjen e marrëveshjes me “Bechtel & Enka” ku ata pajtohen që në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve, Ministria e Infrastrukturës t’i paguajë koston shtesë në vlerë prej 53 milionë e 100 mijë euro.

Sipas Prokurorisë, historia nis në vitin 2017 kur Ministria që drejtohej nga Pal Lekaj nënshkroi një marrëveshje me kompaninë “Bechtel-Enka” për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit për 347 ditë të tjera duke mos përcaktuar koston financiare.

Kjo, sipas aktakuzës, i kishte hapur rrugë kompanisë që më datën 27 nëntor 2017 të paraqes një kërkesë në Ministrinë e Infrastrukturës për pagesë të shumës shtesë “Briefing Package” në vlerë prej 63 milionë euro në emër të “zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve”.

Kërkesa e njëjtë më pastaj ishte zbritur në 53 milionë e 100 mijë euro e cila edhe ishte ekzekutuar më 5 qershor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës.

Vendimin për ndarje e kishte nënshkruar në atë kohë Ramush Haradinaj sa ishte në krye të Qeverisë.