Alban Krasniqi emërohet anëtar i ri i Vetëvendosjes në KQZ

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka emëruar sot Alban Krasniqin anëtar të ri në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Kështu ka bërë të ditur Presidenca përmes një komunikate.

“Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, në pajtim me kompetencat kushtetuese dhe ligjore, ka emëruar sot anëtarin e ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, z. Alban Krasniqi”- thuhet në njoftim.

Sipas komunikatës, Krasniqi është emëruar konform propozimit të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje dhe sipas legjislacionit në fuqi, do të shërbejë për kohëzgjatjen e mandatit të mbetur.

“Në ceremoninë e betimit para Presidentes, anëtari i ri i KQZ-së deklaroi se do t`i kryej detyrat e tij në mënyrë të ndershme, besnike, të paanshme, profesionale dhe të ndërgjegjshme”- njofton Presidenca.

Alban Krasniqi ka qenë në garë për kryetar të Malishevës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Po ashtu, Krasniqi për shumë vite ka qenë asamblist në Komunën e Malishevës.

Alban Krasniqi është bashkëshorti i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut.